Thaçi s’mund të më përjashtojë nga partia


E martë, 6 Maj 2014

Strugë, 6 maj- Në një intervistë të drejtpërdrejtë në televizionin shqiptar Ora News, kryetari aktual i komunës së Strugës, Zijadin Sela ka përsëritur qëndrimin e tij se lideri aktual Menduh Thaçi duhet ta lëshojë postin e kryetarit pas humbjes së pësuar në zgjedhjet e fundit. Ai theksoi se shqiptarët dhe simpatizantët e PDSH-së, nuk kanë më kohë të presin.

“PDSH-ja ka aktivistë të mrekullueshëm, që nuk vënë interesin personal mbi interesat kombëtare, edhe pse lideri i ka keqpërdorur. Brenda PDSH-së ka luftë reale për reformim. PDSH-ja ka aktivistë që dinë ta shohin të drejtën në sy. PDSH-ja ka pas nderin që të ketë pas këto kryetarë që ka, por një moment duhet të kërkohet përgjegjësia nga diku.

Kam kërkuar që të thirret Kongresi pas humbjes së thellë. Thaçi refuzon ta thërrasë Kongresin. Nuk e di pse trembet ai nga anëtarësia e vet. Unë jam më i zëshëm, se zëra pakënaqësie ka shumë brenda PDSH-së. Lideri aspak nuk na ka pyetur për mënyrën e garimit në zgjedhje.

Çmimi i humbjes së zgjedhjeve për Thaçin ndoshta nuk është i madh, por për shqiptarët dhe votuesit e PDSH-së është i madh. Populli po shpërngulet nga kjo keqqeverisje, andaj duhet sa më shpejtë të reagohet”, ka thënë Sela. Më pas ai ka komentuar edhe zërat për një kalim të tij në ndonjë subjekt tjetër partiak, duke e mohuar kategorikisht atë.

“Kurrë s’do kaloj në BDI. Unë jam karakter i tillë dhe kurrë nuk do heq dorë nga PDSH-ja. Thaçi nuk mund të më përjashtojë nga PDSH-ja. Ai mundet të mos më zgjedhë në kryesinë qendrore por jo të më përjashtojë. Nuk është problem i madh të eliminohet politikisht Zijadini, Bekimi apo Orhani apo Menduh Thaçi, e rëndësishme është të ketë reforma.

PDSH-ja mund ta shpall kryetar nderi Menduh Thaçin, është koha që ai të largohet me nder. Më vjen keq ta them por të etiketosh tjetrin si tradhtar ose unë e bëra, këto janë premisa diktatori. Takimet me Mijallkovin në mënyrë jo transparente nuk ishin të hijshme, kjo ndikoi negativisht tek PDSH-ja.

Duhet të largohen takimet në katër sy, ato duhet të jenë transparente”, thekson Sela. Ai shton se sjellja e partive shqiptare për t’u bërë pjesë e qeverisë është jo e hijshme dhe se ky koncept duhet të ndryshojë. Sipas tij, Gruevski duhet të lusë partitë shqiptare për t’u bërë pjesë e qeverisë dhe jo e kundërta.

“Fatkeqësisht Menduh Thaçi nuk e përdor më marrëveshjen politike në fjalimet e tij. Ne e kemi këtë opsion, vendimmarrja është shumë e rëndësishme. Me këtë sistem qeverisës çdo projekt shqiptar varet nga votat e maqedonasve, prandaj kjo duhet të ndryshojë. Ne e kemi në marrëveshjen tonë politike, Parlamentin dydhomësh.

Partitë shqiptare duhet të bashkëpunojnë pas zgjedhjeve për interesat më madhore. Bashkëpunimi mes partive shqiptare nuk ekziston, të paktën derisa kam qenë unë funksionar i lartë i PDSH-së nuk kam marrë pjesë në asnjë takim, ndërsa ato takimet personale mes kryetarëve më shumë janë personale dhe deri më tani janë treguar jo efektive”, ka thënë kryetari i Strugës Zijadin Sela./zhurnal/

Etiketa: , ,
Të fundit