Thaçi takimi i nesërm Kosovë – Shqipëri në Prizren është historik


E premte, 10 Janar 2014

Prishtinë, 10 janar – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka folur në suiperlativ për takimin e nesërm të dy qeverive që do të mbahet në Prizren.“U bënë gjashtë vite që në gjeografinë politike të Evropës, u lind një shtet i ri, shteti i Kosovës, ku edhe e kurorëzuam dinjitetshëm ëndrrën shekullore të qytetarëve tanë me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, shtet demokratik. Kur vendi ynë mori atributin më të lartë të organizimit politik të krijimit të shtetit të pavarur, ka thënë Thaçi.

Pavarësia e Kosovës ka sjellë më tepër paqe e stabilitet për tërë rajonin. Prandaj, ka qenë dhe mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës, bashkëpunimi i ngushtë me të gjitha vendet e rajonit. Nesër në Prizren mbahet mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.

Unë dje kam zhvilluar një bisedë telefonike, me kryeministrin e nderuar Rama, me të cilin jemi dakorduar për të gjitha çështjet që i kemi prezantuar edhe më herët dhe kanë punuar grupet punuese, janë dakorduar që të vazhdojmë me takimin tonë në Prizren. Prandaj, falënderoj kryeministrin Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë për angazhimin maksimal.

Nesër ndodh ngjarje historike që është pritur padrejtësisht të ndodhë për më tepër se një shekull. Takimi i Prizrenit shënon fillimin e qeverisjes së përbashkët strategjike me një qëllim dhe vizion, vizionin euroatlantik. Jo rastësisht po mblidhemi në Prizren, në qytetin prej më të bukurve të rajonit, qytetin e historisë, të ardhmes, qytetin e tolerancës dhe të bashkëjetesës. Sot kujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë tonë kombëtare, që na mundësuan të takohemi, të bashkohemi në Prizren.

Takimi i Prizrenit shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë, mesazhin e rajonit me kufi të hapur dhe pa barriera të së kaluarës.

Nesër në Prizren ndodh takimi i përbashkët, takimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Është dashur sakrificë shekullore brezash, që të ndodhte krejt natyrshëm ky takim i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, i qeverive tona. Ky takim përshëndetet edhe nga miqtë ndërkombëtarë. Takimi i Prizrenit ëndrrën e shumë brezave e bënë realitet” ka përfunduar Thaçi duke njoftuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë me takime të tilla me të gjitha vendet tjera të rajonit edhe gjatë vitit 2014.

Etiketa: ,