Thaçi: Të bashkohen të gjithë shqiptarët e Malit të Zi


E premte, 16 Janar 2015

Ulqin – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar vizitën e tij zyrtare në Ulqin.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar vizitën e tij zyrtare në Ulqin, ku është pritur nga qindra shqiptarë, të cilët ishin mbledhur para komunës së Ulqinit.

Fillimisht zëvendëskryeministri Thaçi është ndalur te memoriali i të dëbuarve nga lufta e Kosovës më 1999, ku ka vendosur një kurorë me lule. Më pas, ai është takuar me përfaqësuesit shqiptar në Ulqin, ku ka diskutuar për avancimin e pozitës politike të shqiptarëve në këtë shtet.

“Shqiptarët në Mal të Zi i kanë të gjitha përgjegjësitë institucionale. Duhet të kenë një përfaqësim më të dinjitetshëm në Kuvendin dhe Qeverinë malazeze. Kjo ka qenë temë e bisedimeve që sot kam pas me krerët e shtetit malazez”, ka theksuar Thaçi.

Ai ju ka bërë thirrje shqiptarëve që mos të lëshojnë pronat e tyre dhe të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e Ulqinit.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka premtuar angazhim edhe sa i takon shkëmbimit më të madh në fushën e arsimit, sidomos në shpërndarjen e Abetares.

“Studentët shqiptarë nga Mali i Zi që studiojnë jashtë, duhet të kthehen dhe t’i kontribuojnë përfaqësimit të interesave të tyre brenda këtij shteti”, ka thënë ai.

Sipas tij, shqiptarë në Mal të Zi duhet të ndihmojnë në zhvillimin dhe ruajtjen e unitetit politik dhe të kontribuojnë aktivisht në demokracinë dhe ekonominë e Malit të Zi.

Nga ana tjetër, kryetari i Ulqinit, Fatmir Xheka ka theksuar se me vizitën e tij, zëvendëskryeministri Thaçi ka nderuar të gjithë shqiptarët e Malit të Zi.

“Është nder shumë i madh që kemi një personalitet kaq të madh shqiptar në Ulqin. Ai ka bërë shumë për Kosovën, por edhe për shqiptarët në Mal të Zi”, ka theksuar ai.

Gjatë ditës, zëvendëskryeministri Thaçi ka takuar krerët më të lartë shtetëror të Malit të Zi.

Etiketa: , , , ,