Thaci: Ulqini qyteti që i bashkon njerëzit e Ballkanit


E shtunë, 4 Prill 2015

Ulqin – Ulqini po më jep, atë që e konfirmon ndjenjën që kemi shumë kosovarë, ka thënë sot zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë shpalljes qytetar nderi i Ulqinit.
“Të jem një qytetar i Ulqinit së bashku me Edin është një nder i veçantë. Ju po ma jepni një dekoratë që veç e konfirmon atë që e ndjejmë shumë kosovarë – ne tashmë jemi ulqinakë dhe ndihemi në Ulqin si në shtëpinë tonë”, ka thënë ai.

Ulqini me kalanë e vet, me detin e kaltër dhe me ulqinakët janë një urë midis Kosovës dhe Malit të Zi, ka shtuar Thaçi.

“Ne i gëzohemi progresit politik dhe dialogut midis malazezëve dhe shqiptarëve në Mal të Zi, sepse e dimë se veç me shqiptarët e integruar në Mal të Zi, Kosova përfiton dhe siguron ardhmërinë e vet. Kosova do të jetë fqinje dhe përkrahëse e Malit të Zi, sepse Ulqini na lidh dhe na përkujton historinë e përbashkët të dy popujve dhe Ulqini bashkon njerëzit edhe me mijëra kilometra larg Ballkanit”, ka thënë Thaçi.

Komuna e Ulqinit, në një ceremoni solemne për ditën e saj, po i shpallë qytetarë nderi edhe kryeministrin e Shqipërisë dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Edi Ramën dhe Hashim Thaçin, për rolin e tyre historik në promovimin e paqes dhe dialogut midis popujve të Ballkanit, marrëdhënieve të ngushta fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë me Malin e Zi, integrimin euro-atlantik dhe rolin shumë të rëndësishëm në avancimin e pozitës së shqiptarëve në Ballkan dhe posaçërisht në Mal të Zi.

Paraprakisht është zhvilluar një takimi trilateral ndërmjet Thaçit, Ramës dhe Vujanoviqit në zyrën e kryetarit të komunës së Ulqinit. Pas takimit fillon edhe ceremonia zyrtare e shpalljes së Thaçit dhe Ramës qytetarë nderi të Ulqinit.

Gjatë rrugës, Thaçi është pritur edhe nga shqiptarë të shumtë, që kishin dalur për ta takuar atë në rrugë.

Etiketa: , , ,