Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Thaçi votohet nesër për president, kjo është procedura e zgjedhjes

Prizren Post | 14:05 - 25.02.2016

Prishtinë – Kryesia e Kuvendit, ka caktuar që të premten në ora 11:00 të mbahet seanca solemne për zgjedhjen e presidentit.

Kandidatë për president janë kreu i PDK-së Hashim Thaçi dhe deputeti i po kësaj partie, Rafet Rama.
Kandidatura e Thaçit gëzon mbështetjen e partnerit të koalicionit LDK-së, ndonëse brenda kësaj partie ka zëra kundërshtues. Po, pakicat joserbe, tash për tash janë deklaruar pro kandidaturës së Thaçit për president, raporton lajmi.net.

Por cilat janë procedurat për zgjedhjen e presidentit?
Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit, për zgjedhjen e presidentit kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve.

Pra, edhe Thaçit por edhe Ramës i duhen 80 vota nga 120 deputetë, sa ka parlamenti.
Dihet se partitë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën po kundërshtojnë kandidaturën e Thaçit. Madje ata përmes protestave në tenda para Qeverisë dhe Kuvendit po kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë.
Por, nëse dështon në dy raundet e para të zgjidhet presidenti, atëherë në raundin e tretë presidenti mund të zgjidhet me vetëm 61 vota.

Nesër, kushdo që zgjidhet për president do të bëhet presidenti i pestë i Kosovës së pavarur. Dy presidentë nuk e kanë kryer mandatin e tyre, pasi Gjykata Kushtetuese ka gjetur se ata kanë shkelur aktin më të lartë juridik.
Nëse Hashim Thaçi zgjidhet president, atëherë ai duhet të jep dorëheqje nga posti i të parit të PDK-së, pasi Kushtetuta nuk lejon që presidenti të mbajë post tjetër.


Etiketa:
Arivisti Company