E mërkurë, 25 Shtator 2013
Prishtina zyrtare pretendon të jetë afruar koha kur në Bruksel do të vihet në rend ditë edhe çështja e arritjes së Traktatit të Paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka deklaruar për media zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, sipas të cilit të dyja vendet janë duke punuar në këtë drejtim. Mirëpo, analistë dhe njohës të çështjeve juridike kanë theksuar për Telegrafin, se nënshkrimi i një traktatit të tillë në mes Prishtinës dhe Beogradit, në një afat të afërt kohorë është diçka e pamundur.
Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike mendon Qeveria Serbe nuk është e interesuar që të ketë një traktat paqe me Kosovën, dhe sipas tij, është jashtë agjendës së Beogradit që të ketë qoftë edhe një nivel minimal të “normalizimit” të marrëdhënieve me Kosovën.
Ai ka shtuar se politika të cilën po e bën shteti i Serbisë karshi Kosovës, po i shërben Beogradit, e që po vazhdon ta fuqizoj atë në bisedimet të cilat po zhvillohen në Bruksel.
“Kosova duhet të ketë një qëndrim dinjitoz në dialogun Prishtinë-Beograd, duke kundërshtuar çdo hapësirë të mundshme të ndërhyrjes së Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, dhe jo të ndjek praktikën e deritanishme”, tha ai për Telegrafin.
Sipas tij, Serbia e konsideron Marrëveshjen e 19 prillit si një akt nënligjor të Qeverisë së saj, dhe jo si një marrëveshje ndërkombëtare, të tillë çfarë e konsideron Kosova.
“Qeveria e Serbisë e ka vënë Kosovën në nivel të një entiteti me të cilin nuk pranon të nënshkruaj marrëveshje ndërkombëtare, dhe për këtë shkak, është absolutisht e palogjikshme që të pritet që Serbia të pranoj të nënshkruaj një traktat paqeje me Kosovën. Interesi i saj i vetëm është rritja e ndikimit dhe ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës”, shprehet Korenica.
Ndërsa, analisti politikë Nexhmendin Spahiu ka deklaruar se nënshkrimi i një traktati të paqes mes Kosovës ahe Serbisë, do të ishte një gjë e mirë për Kosovën.
“Nënshkrimi i traktatit do të ishte avancim i raporteve të Kosovës me fqinjin më të rëndësishëm të saj. Se a do të nënshkruhet ky traktat shpejtë është vështire të thuhet. Kur do të ndodhë kjo po ashtu është vështirë të parashikohet, por sigurisht se një ditë do të ndodhë”, ka theksuar ai.
Spahiu ka deklaruar se duke marrë parasysh ritmin që po shkon dialogu teknik në mes Prishtinës dhe Beogradit, është vështirë të besohet që nënshkrimi i traktatit të paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë shpejt.