Trump: Do të kemi disa pyetje për sauditët


E shtunë, 20 Tetor 2018

ARIZONA – Në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se do të kenë disa pyetje për sauditët dhe për këtë çështje do të punojnë me Kongresin.

Duke folur për gazetarët në Arizona të SHBA-ve rreth rastit Khashoggi presidenti Trump ka mbrojtur idenë e tij se Arabia Saudite “është e besueshme” në lidhje me deklaratën e saj për “vdekjen e gazetarit Khashoggi”.

Deklarata e Rijadit është “hapi i parë i madh” ka bërë të ditur Trump duke shtuar se “Por ende nuk ka përfunduar vlerësimi ynë. Aktualisht është herët “për të arritur një rezultat”.

“Do të kemi disa pyetje ndaj sauditëve. Në lidhje me këtë çështje po punojmë së bashku me Kongresin”, tha Trump në lidhje me deklaratën e Arabisë Saudite për Khashoggi, duke shtuar se vendimin e tyre do ta njoftojnë pasi të ketë biseduar me princin saudit, Muhammed bin Selman.

Po ashtu Trump ka theksuar se “janë shumë të rëndësishme” arrestimet që qeveria e Rijadit ka kryer në lidhje me vrasjen e gazetarit Khashoggi.

Për fatin e marrëveshjes në shitjen e armëve me shumën 110 miliardë dollarë mes SHBA-ve dhe Arabisë Saudite, presidenti Trump ka theksuar se dëshiron ta ruajë marrëveshjen në fjalë dhe se në vend të saj do të preferonte të zbatojë “një formë sanksioni” ndaj Arabisë Saudite.

“Në këtë proces jemi përfshirë ne, është përfshirë Turqia. Kjo është një gjë e tmerrshme dhe nuk do të jetë një ngjarje që të humbë nga sytë”, tha më tej Trump në përgjigje ndaj pyetjes nëse është i “besueshëm” apo jo hetimi që Arabia Saudite po kryen në lidhje me këtë ngjarje.

Ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, në lidhje me vdekjen e gazetarit Khashoggi kishte deklaruar se “Shprehim keqardhjen që kemi dëgjuar konfirmimin e vdekjes së Khashoggi. I shprehim ngushëllimet familjes, të fejuarës dhe dashamirësve të Khashoggi”.

Administrata e Arabisë Saudite kishte pranuar se Jamal Khashoggi i cili ishte zhdukur më 2 tetor pas kishte hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll “ka humbur jetën si rezultat i grindjeve në ndërtesën e konsullatës”, transmeton Anadolu Agency.

Etiketa: , , ,