Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Trump ende pa qëndrim konkret kundër Rusisë

Prizren Post | 22:31 - 13.08.2017

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Mes lavdërimeve për Vladimir Putinin dhe rënies dakort për sanksione ekonomike ndaj Rusisë, analistët pyesin se cila është në të vërtetë politika për Rusinë e Presidentit Donald Trump.

“Mendimi im është se nuk ekziston fare një politikë e Presidentit Trump për Rusinë”, thotë Andrei Kolesnikov, i Qendrës “Carnegie” në Moskë.

Komentet e zotit Trump gjatë fushatës elektorale për Rusinë lavdëronin Presidentin Vladimir Putin, duke ngjallur kështu shpresa për bashkëpunim, por dhe duke shkaktuar pasiguri për vendet aleate të NATO-s dhe për Ukrainën.

“Pas tetë muajsh duket se vizioni i tij për trajtën që duhet të ketë marrëdhënia e SHBA-së me Rusinë nuk po plotësohet”, thotë James Kirchick, i Institutit Brookings.

Arsyeja kryesore është se anëtarët e vetë partisë së tij dhe të administratës kanë një qëndrim më të ashpër ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe ndërhyrjen e mundshme në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar.

“Pati një debat të madh në Rusi nëse do të triumfonte zoti Trump përballë sistemit demokratik amerikan. Deri më tani, ai ka humbur. Pra, modeli tek i cili shpresonte Kremlini, nuk ekziston”, thotë zoti Kolesnikov.

Toni i Presidentit Trump ndryshoi gjatë një fjalimi në muajin korrik në Poloni, ku ai i bëri thirrje Rusisë të ndalonte aktivitetin destabilizues në Ukrainë e vende të tjera, si dhe mbështetjen që u jep regjimeve në Siri dhe Iran.

Këtë muaj, Presidenti Trump nënshkroi ligjin për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, megjithëse e quajti “me mangësi të thella”.

“Megjithëse Presidenti Trump ndoshta dëshiron nga zemra të ketë një marrëdhënie më produktive me Rusinë, për sa kohë që Rusia vazhdon të veprojë dhe të sillet njësoj, do të jetë shumë e vështirë për SHBA-në dhe aleatët evropianë që të kenë një marrëdhënie pozitive me Rusinë”, thotë zoti Kirchick.

Kryeministri rus shkruajti në Twitter se ligji i sanksioneve që e kufizon autoritetin e Presidentit Trump, “i jep fund shpresave” për përmirësim të marrëdhënies.

Shumë rusë janë dakort me të.

“Mendoj se ai do të veprojë gjithnjë në të mirë të Amerikës. Prandaj nuk pata ndonjë iluzion kur u zgjodh. Ne duhet të vazhdojmë rrugën tonë dhe të mos merremi me të”, thotë Anastasiya, një banore e Moskës.

Por, zhvillimi i hetimeve për lidhje të ekipit elektoral të zotit Trump me Rusinë, do të vazhdojnë ta mbajnë në qendër të vëmendjes këtë marrëdhënie. /VoA


Etiketa:

Bëni një koment