Trump implikon babanë e Cruz-it në vrasjen e Kennedy-t


E mërkurë, 4 Maj 2016

Ndërkohë që votuesit në Indiana do të votojnë për t’iu përgjigjur pyetjes nëse Donald Trump do të jetë kandidati republikan për president të SHBA-ve, Trump ka hedhur një dyshim mbi historinë e familjes së Ted Cruz.

Kandidati republikan la të kuptohet se babai i Ted Cruz ka qenë disi i përfshirë në vrasjen e presidentit John F Kennedy. Në një intervistë telefonike me “Fox News” të martën në mëngjes, Trump iu referua një historie të tabloidit amerikan, “National Enquirer”, për të thënë se Rafael Cruz ka dalë në një foto me vrasësin e Kennedy-t, Lee Harvey Oswald.

Ai konfirmoi se e ka identifikuar Rafael Cruz-in, babai i Tedit, në imazhet e marra nga Nju Orlinsi, në gusht 1963, kur Oswald shpërndante pamflete pro Kubës.

“Babai i tij ishte me Lee Harvey Oswald. Kjo është qesharake. Është raportuar, dhe askush nuk flet për këtë”, tha ai.

Por Ted Cruz e quajti Trump-in një gënjeshtar amoral:

“Ky njeri është një gënjeshtar patologjik. Ai nuk di të bëjë dallimin mes së vërtetës dhe gënjeshtrës. Sepse çdo fjalë që del nga goja e tij është një gënjeshtër”, thekson Cruz.

Etiketa: , ,