Tuneli i Bosforit lidh kontinentet


E martë, 29 Tetor 2013

Stamboll, 29 tetor – Një tunel nëntokësor në Ngushticën e Bosforit do të hapet në Turqi, për të krijuar një lidhje të re mes Azisë dhe brigjeve evropiane të Stambollit. Kryeministri turk Recep Tayip Erdogan për vite të tëra i ka vënë rëndësi projektit nëndetar, i konceptuar nga një sulltan otoman në vitin 1860.

Punimet filluan në vitin 2004, por gërmimet arkeologjike bënë që ato të shtyheshin. Japonia dhe 1 miliard dollarë nga 4 miliardë që ishte kostoja totale e projektit prej 1.4 kilometra, i projektuar për t’u rezistuar tërmeteve.

Korrespondenti i BBC në Stamboll, James Reynolds thotë se tani tuneli ka përfunduar dhe qeveria turke shpreson se tuneli nën Bosfor do të kthehet në një rrugë të rëndësishme të tregtisë, duke u zgjatur nga Kina për në Evropën perëndimore.

Kritikët e zotit Erdogan e shohin tunelin si një nga projektet kryesore për kryeministrin, për qytetin të cilin ai e ka drejtuar dikur si kryetar bashkie.

Bashkë me propozimet e tij për një aeroport të tretë, një kanal paralel dhe një urë të tretë, ata i vlerësojnë si ambiciet “faraonike” të Erdogan.

Autoritetet u ndodhën në një situatë të vështirë më herët gjatë vitit, kur protestuesit kundërshtuan planin për prishjen e një parku në Stamboll. Akte të dhunshme u regjistruan në përleshjet mes protestuesve antiqeveritarë dhe forcave të sigurisë.

Tuneli hekurudhor nuk do të jetë tërësish operativ që nga përurimi i tij ditën e martë, raporton agjencia e lajmeve “AFP”. “Pjesa që do të jetë në shërbim është shumë e kufizuar. Funksionimi në tërësi është shtyrë për shumë më vonë”, deklaroi Tayfun Kahraman, president i Dhomës së Planifikimit Urbanistik të Stambollit.

Kryeministri japonez Shinzo Abe do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit, duke qenë se Banka e Japonisë ka qenë një ndër financuesit kryesorë të projektit.

Autoritetet lokale deklarojnë se tuneli do të lehtësojë trafikun e ngarkuar në dy urat ekzistuese, si dhe do të zbusë emetimet e makinave dhe ndotjen.

Etiketa: , ,