Turqia i kërkon zyrtarisht Shqipërisë shpalljen e paligjshme të lëvizjes “Gylen”


E enjte, 14 Maj 2015

Xhamitë – Presidenti turk mori pjesë në përurimin e punimeve në xhaminë e Namazgjasë dhe atë të Prezës. Erdogan bëri të ditur se u ka kërkuar autoriteteve shqiptare që punimet për xhaminë e Namazgjasë të mbarojnë brenda dy viteve, jo siç ishte parashikuar brenda tre viteve

Terrorizmi – Lëvizjen “Gylen”, Erdogan e ka cilësuar dhe si terroriste dhe madje ka kërkuar prerazi që Tirana zyrtare ta nxjerrë aktivitetin e saj në Shqipëri të jashtëligjshme. Këtë gjë ia ka transmetuar në takime të veçanta si Kryeministrit Edi Rama, edhe Presidentit Bujar Nishani

Dy qeveritë – Erdogan dhe Rama kanë rënë dakord që të zhvillojnë mbledhjen e përbashkët mes qeverive të Turqisë dhe Shqipërisë. Kjo do të realizohet pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Për këtë ishte rënë dakord që në kohën kur Erdogan ishte kryeministër

Vëllezërit – Erdogan, në deklaratat e tij, nuk ka ngurruar t’i cilësojë Kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin Bujar Nishani si “vëllezër”. Këto etiketime nuk ka ngurruar t’i lëshojë në të gjitha takimet që ka folur, si dhe për rastin e kërkesës ndaj lëvizjes “Gylen”

Erdogan përuron punimet e xhamisë, premton fonde për Kuvendin e kalanë e Gjirokastrës

Turqia i kërkon Shqipërisë shpalljen të paligjshme të lëvizjes së Abdullah Gylen. Ka qenë vetë Presidenti turk, Taip Rexhep Erdogan, që e ka parashtruar këtë kërkesë në vizitën zyrtare në Tiranë, e pikërisht në takimet e veçanta me Presidentin Bujar Nishani dhe Kryeministrin Edi Rama. Erdogan e bëri publik qëndrimin e shtetit turk, gjatë ceremonisë për nisjen e punimeve të xhamisë së madhe të Namazgjasë. Presidenti turk, Erdogan, në fjalën e tij tha se në Turqi janë krijuar struktura paralele që konsiderohen organizatë terroriste për shtetin turk dhe se kjo organizatë ka veprimtari edhe në Shqipëri. Ai tha se për këtë çështje ka diskutuar edhe me Nishanin dhe Ramën dhe qëndrimi duhet të jetë i qartë. “Ju jeni në dijeni që në vendin tonë po luftojmë kundër një strukture paralele që është krijuar. Ne e konsiderojmë zyrtarisht atë si një organizatë terroriste që kërcënon vendin tonë, popullin tonë. Luftën kundër kësaj organizate do ta vazhdojmë pa ndërprerje. Unë e di që kjo strukturë ka veprimtarinë edhe në Shqipëri. Unë me vëllezërit e mi të vyer, zotin Nishani dhe zotin Rama e trajtova këtë çështje dhe kam bindjen që ata do të bëjnë atë që duhet. Institucionet shqiptare nuk do ta tolerojnë asnjëherë këtë organizatë”, tha qartazi Erdogan. Madje ai premtoi se do të ndihmonte financiarisht për të zhbërë atë çfarë kundërshtari i tij politik ka bërë. “Turqia me kryesinë e çështjeve fetare dhe me institucionet e tjera është e aftë të sigurojë të gjitha ato shërbime që kjo organizatë ka bërë këtu në Shqipëri. Për këtë çështje duhet të jemi të qartë, duhet ta kemi të qartë”, deklaroi Erdogan. Më pas ceremonia ka vijuar me shtypjen e butonit për hedhjen e betonit, ku ka nisur zyrtarisht edhe puna për ndërtimin e Xhamisë dhe Kompleksit të Namazgjasë.

Takimi me Ramën

Më pas, Erdogan ka pasur një takim me Kryeministrin Edi Rama. Pas takimit me delegacionet përkatëse, Rama dhe Erdogan kanë zhvilluar një takim “kokë me kokë”, ku veç fushës së bashkëpunimit ekonomik është diskutuar dhe mbi situatën më të fundit në rajon. Presidenti Erdogan konfirmoi ndihmën që do të japë shteti turk për ndërtimin e sallës së re të Kuvendit, si dhe mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive. Këtë lajm ai e komunikoi në takimin me Kryeministrin e vendit, Edi Rama. “Me Presidentin Rexhep Taip Erdogan, gjatë vizitës së tij njëditore në Tiranë, ku erdhi OK përfundimtar për financimin e ndërtimit të sallës së re të Kuvendit të Shqipërisë dhe të 25 shtëpive monument kulture në Gjirokastër, si edhe u diskutua mbi ecurinë e projekteve në fushën e zhvillimit rural, sigurisë, shëndetësisë, arsimit e kulturës”, shkroi kreu i qeverisë në profilin e tij në “Facebook”, duke shtuar se mbledhja e qeverisë, do të mbahet pas zgjedhjeve vendore që do të mbahen në vendin tonë. “Ne presim me kënaqësi që pas përfundimit të fushatës zgjedhore në Turqi, të kemi një takim dypalësh në nivelin e të dy qeverive, një mbledhje të përbashkët, ku të nënshkruajmë edhe dokumentin e partneritetit strategjik”, ka thënë Rama. Përtej këtyre projekteve të premtuara nga shteti turk, Presidenti Erdogan e ka konsideruar Shqipërinë, si shtëpinë e dytë të tij. “Dua t’ju falënderoj për mikpritjen, sepse erdha me ftesën e Presidentit, por që kur kemi shkelur në tokën shqiptare ndihemi si në shtëpinë tonë. Marrëveshjen strategjike mes dy vendeve do ta firmosnim kur isha kryeministër bashkë me zotin Rama, por nuk arritëm ta bënim për shkak të tragjedisë që ndodhi në Soma. Projekti arkitektonik tashmë është gati. Pas kësaj, po përsëris, do të kemi hapjen e xhamisë tjetër”, tha Erdogan. Kreu i ekzekutivit deklaroi se “traseja e çelur e bashkëpunimit dhe marrëdhënia strategjike, që Shqipëria ka me Turqinë do të njohin një nxitje të mëtejshme, në një sërë fushash, ku në radhë të parë u theksua domosdoshmëria e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe e bashkëpunimit në çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, që kanë të bëjnë me zhvillimin rural, arsimin, shëndetësinë dhe padyshim edhe kulturën”.

Takimi me Metën

Dje pasdite, Kryeparlamentari Ilir Meta priti Presidentin Erdogan dhe delegacionin e nivelit të lartë që e shoqëron gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri. Kryetari i Kuvendit, Meta, i uroi mirëseardhjen Presidentit të Turqisë Erdogan në Shqipëri dhe vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve si dhe miqësinë vëllazërore që ekziston mes dy popujve. Në këtë drejtim, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë si në rajon, ashtu edhe në kuadër të NATO-s, ku të dy vendet mike ushtrojnë peshën e tyre në interes të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Kryetari i Kuvendit e cilësoi vizitën e Presidentit të Turqisë në vendin tonë si tepër të rëndësishme për raportet bilaterale, e cila nderon popullin shqiptar dhe reflekton cilësinë shumë të lartë të shkëmbimeve politike që ekzistojnë mes dy vendeve. Në këtë kuadër, z. Meta vuri në dukje bashkëpunimin gjithnjë në rritje mes dy parlamenteve si në nivel kryetarësh, ashtu edhe përmes grupeve të miqësisë dhe komisioneve të ndryshme parlamentare. Përmes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (TIKA), do të mbështetet përmirësimi i infrastrukturës së funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë. Kryetari Meta dhe Presidenti Erdogan ndanë bindjen në përfundim se të dy qeveritë duhet ta thellojnë partneritetin dhe bashkëpunimin e tyre ekonomik përmes intensifikimit të shkëmbimeve tregtare dhe rritjes së prezencës së investimeve turke në rajon, të cilat hapin mundësi domethënëse punësimi dhe rrisin mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, veçanërisht në fushat e energjisë, shëndetësisë, agro-përpunimit dhe infrastrukturës. Në darkë, Erdogan dhe Nishani morën pjesë në forumin ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë. Presidenti turk u shpreh për nevojën e rritjes së investimeve turke.

Kush është Gylen, dhe shtrirja në Shqipëri

501

Muhammed Fethullah Gylen është ish-imam dhe shkrimtar, i cili ka krijuar lëvizjen “Gylen” që në turqisht quhet “Hizmet” (shërbim). Ai njihet si financues i disa shkollave private në Turqi, degë të cilat janë shtrirë edhe në Shqipëri. Ayhan Demir, analist i Ballkanit pranë gazetës ditore “Yeni Akit”, shkruan se kjo lëvizje ka ndikim në Shqipëri, më pas në Bosnjë dhe në Maqedoni. “Struktura paralele ka zbritur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1993, duke e shtrirë aktivitetin ndaj një mase të gjerë, fillimisht përmes formave të edukimit. Menjëherë pastaj është zgjeruar në ekonomi. Kështu veçmas në fushën e turizmit dhe telekomunikacionit ka zhvilluar një shtrirje konsekuente. Medresetë e ndryshme në Kavajë, Elbasan, Tiranë, Korçë dhe Berat, që janë të ngjashme me shkollat ‘imam-hatip’ në Turqi, dikur ishin administruar nga arabët dhe në këto shkolla jepej edukim falas. Por, me rrëzimin e kullave binjake më 2001, këto shkolla përjetojnë vështirësi në financimin dhe administrimin e tyre, andaj u jepen për administrim strukturave paralele ose lëvizjes “Gylen”. Punën e parë që bënë këto medrese ishte që nga sistemi falas i edukimit t’i kthejnë në shkolla me para, e së dyti mësimet fetare i reduktuan aq shumë, saqë i kufizojnë vetëm në tri orë në javë.

Përveç medreseve, nën ombrellën e tyre të organizimit përfshihen: fondacioni i edukimit ‘Gylistan’ dhe fondacioni i edukimit ‘Sema’, si edhe kolegjet. Në kolegjet e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës, pra ‘Turgut Ozal’, ‘Mehmet Akif’ dhe ‘Hasan Riza Pasha’ në aspekt të mësimit fetar nuk bëhet thuajse asgjë”, shprehej Demir në një artikull të tetorit 2014./Gazeta Shqip/

Etiketa: , , , ,

Leave a Reply

Të fundit