Turqia njofton OKB-në për operacionin kundër DAESH-it


E diel, 26 Korrik 2015

Qeveria e Republikës së Turqisë i ka përcjellë OKB-së nëpërmjet një letre motivin e operacioneve kundër objektivave të organizatës terroriste DAESH në veri të Sirisë.

Në letrën dërguar presidencës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara shpjegohen në detaje zhvillimet në Siri dhe rajon, ndërsa theksohet se kjo krizë përbën rrezik sigurie për Turqinë, e cila ka marrë përsipër një barrë të rëndësishme për shkak të refugjatëve sirianë.
Pasi vihet në pah se 158 qytetarë turq kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve nga Siria që prej fillimit të krizës në këtë vend, në brendësi të letrës theksohet se Siria është shndërruar në një strehë të sigurt për organizatën terroriste DAESH, që po i përdor territoret e këtij vendi për trajnim, financim dhe sulme përtej kufijve.

Ndër të tjera, Ankaraja zyrtare tërheq vëmendjen se regjimi sirian në Damask nuk as aftësi dhe as vullnet për t’i asgjësuar këto kërcënime, që burojnë nga territoret e tij.

Me anë të letrës në fjalë, qeveria turke nënvizon se sulmi terrorist në Suruç shpalos qartë se Turqia është nën kanosjen e hapur dhe të afërt të akteve të DAESH-it, organizatë kjo që ka martirizuar edhe një rreshter të Forcave të Armatosura turke në sulmin kundër postës kufitare.
Duke cituar Artikullin 51. të Kartës së OKB-së, që jep të drejtë individuale apo kolektive për vetëmbrojtje kundër sulmeve të armatosura, në letrën e ekzekutivit turk, dërguar presidencës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, njoftohet se, në kuadër të kësaj të drejte themelore dhe në koordinim të plotë me koalicionin ndërkombëtar kundër DAESH-it, Turqia ka nisur operacione ushtarake proporcionale dhe të domosdoshme kundër organizatës terroriste DAESH në Siri, për të mbrojtur territoret dhe qytetarët e saj, por edhe për të eliminuar kërcënimin e terrorit.

Etiketa: , ,