Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

U inaugura Aeroporti i Stambollit

Prizren Post | 08:18 - 30.10.2018

STAMBOLL – Faza e parë e aeroportit do të ketë kapacitet për 90 milionë pasagjerë në vit, tha Erdoğan, duke shtuar se “kjo shifër do të rritet në 150 milionë, nëse nevojitet edhe në 200 milionë, pas përfundimit të të gjitha fazave”.

Përmes një ceremonie madhore, në Stamboll u bë inaugurimi i fazës së parë të aeroportit të tretë të Stambollit, me pjesëmarrje të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Hapja e fazës së parë të aeroportit u organizua me rastin e 29 Tetorit, Ditës së Republikës në Turqi, që shënon ditën kur Turqia u shpall republikë në vitin 1923.

Para një numri të madh mysafirësh, përfshirë zyrtarë dhe krerë shtetesh nga rajoni dhe bota, Erdoğan u adresua me një fjalim.

Në fjalën e tij, Erdoğan përshëndeti të pranishmit dhe uroi që aeroporti i ri të jetë në dobi për vendin, rajonin dhe tërë botën.

Presidenti i Turqisë njoftoi se emri i aeroportit të ri do të jetë “Aeroporti i Stambollit”.

“Një vepër kaq e madhe për këtë qytet të çmuar. Për këtë, ia dhamë emrin Stamboll”, tha Erdoğan, duke shtuar se Stambolli nuk është vetëm qyteti më i madh i Turqisë, por edhe marka më e vlefshme e vendit.

Duke folur për Aeroportin Ataturk të Stambollit, presidenti turk tha ai do të ruajë statusin e tij si aeroport, por do të mbyllet për fluturime komerciale pasi aeroporti i ri të fillojë funksionimin me kapacitet të plotë.

Ai deklaroi se të gjitha fazat parashihet të pëfundojnë deri më 2028.


Etiketa:
Arivisti Company