Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

U miratua nisma për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL

Prizren Post | 09:39 - 02.08.2017

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Behar Selimi ka thënë se kjo nismë për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare ofron mundësi të mëdha për bashkëpunim të Kosovës me shtetet e tjera si dhe ndihmon në parandalimin e krimit dhe luftimin e formave të ndryshme të kriminalitetit, njofton Klan Kosova.

Në ndërkohë që po në këtë mbledhje, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka thënë se janë marrë të gjitha masat që Kosova të ketë mbështetjen e shteteve anëtare për anëtarësim në INTERPOL në votimin e Asamblesë së Përgjithshme në shtator.
“Kemi marrë të gjitha masat e nevojshme që të sigurojmë mbështetje prej shteteve anëtare, prej 190 shteteve, duhet mbështetja e 110 shteteve që Kosova të mund të bëhet anëtare e INTERPOL-it”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka treguar edhe përfitimet e Kosovës në rast se ndodh anëtarësimi në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Gjëja më e rëndësishme do të ishte qasja e Policisë së Kosovës në të dhënat e INTERPOL-it dhe do të kishim një mundësi që INTERPOL-i në të ardhmen të mos keqpërdoret siç është keqpërdorur nga Serbia. Ka shumë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën por që kanë treguar vullnet që ta përkrahin anëtarësimin”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Në ndërkohë, Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka udhëtuar për një vizitë pune në Amerikë ku do të takohet me Përfaqësues të Përhershëm të disa shteteve anëtare të OKB-së me fokus sigurimin e përkrahjes për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.


Etiketa:
Arivisti Company