Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

U nënshkrua Kodeksi për zgjedhje korrekte dhe demokratike në Maqedoni

Prizren Post | 11:55 - 21.11.2016

Shkup – Para fillimit të nesërm të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, të gjitha koalicionet dhe partitë politike në Maqedoni nënshkruan Kodeksin me të cilin u zotuan për proes zgjedhor korrekt dhe demokratik, raporton Anadolu Agency.

Fushata për zgjedhjet e 11 dhjetorit fillon nesër dhe do të zgjasë deri më 9 dhjetor në mesnatë. Në këto zgjedhje do të marrin pjesë 11 subjekte politike – pesë koalicone dhe gjashtë parti. Të drejtë vote do të kenë gjithsej 1.784.524 qytetarë, ndërsa në diasporë do të mund të votojnë 20.591 shtetas të Maqedonisë.

Kryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Aleksandar Çiçakovski, theksoi se zgjedhjet korrekte dhe demokratike kontribuojnë në zhvillimin demokratik të shoqërisë. Ai shtoi se të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, me aktivitetet e tyre e vendosin fundamentin e demokracisë dhe kontribuojnë në ndërtimin e besimit në sistemin zgjedhor të vendit.

Çiçakovski theksoi se pjesëmarrësit në procesin zgjedhor obligohen se do t’i respektojnë të gjitha ligjet, rregullat dhe aktet e Maqedonisë që janë relevante për zgjedhjet, si dhe do të respektojnë sundimin e ligjit gjatë organizimit dhe zbatimit të zgjedhjeve.

Kodeksin e nënshktuan kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në emër të BDI-së Izet Mexhiti, lideri i LSDM-së Zoran Zaev, Menduh Thaçi nga PDSH-ja, Bilall Kasami nga BESA, Gëzim Ostreni nga Koalicioni “Aleanca për Shqiptarët”, Ivon Veliçkovski nga PL-ja, Stojançe Angellov nga Dinjiteti në emër të Koalicionit VMRO për Maqedoninë, Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike për Koalicionin për Ndryshime dhe Drejtësi-Blloku i tretë, Zdravko Savevski nga Levica (E majta), si dhe Muhamed Halili nga PPD-ja.

Pas nënshkrimit të Kodeksit, liderët dhe përfaqësuesit e partive politike u bënë thirrje anëtarëve dhe aktivistëve të respektojnë Kodeksin e nënshkruar për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, nuk u prononcua për mediat. Ndërsa Izet Mexhiti, në emër të BDI-së tha se: “Uroj që të gjithë ne të kontribuojmë drejt këtij qëllimi dhe pajtohem plotësisht se si pjesë e Qeverisë, përgjegjësia më e madhe është e partive që janë në Qeveri, duke mos anashkaluar se duhet të kontribuojnë të gjitha partië që marrin pjesë në procesin zgjedhor”.

Ndërkaq, sipas partive opozitare ky Kod për zgjedhje korrekte dhe demokratike është nënshkruar edhe në zgjedhjet e kaluara, por i njëjti nuk është respektuar. Ata shprehën shpresë që këtë herë Kodeksin e nënshkruar do të respektohet.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, shprehu bindje se zgjedhjet e këtij viti do të jenë korrekte, por theksoi se për këtë do të jenë përgjegjëse partitë në pushtet. “Garancia e vetme për një të ardhme të mirë për Maqedoninë tonë janë zgjedhjet korrekte dhe demokratike dhe nuk ekziston alternativë tjetër”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, zëdhënës i PDSH-së, Luan Tresi, theksoi se partia e tij ndjehet e obliguar që të jap maksimumin për zgjedhje të lira dhe demokratike, si dhe të gjitha rastet për shkelje të zgjedhjeve do t’i paraqesin te faktori ndërkombëtar. “Asgjë të re, pasi që ky Kod është nënshkruar edhe para çdo cikli zgjedhor që kemi patur edhe më parë. Partitë në pushtet asnjëherë nuk e kanë respektuar atë që e kanë nënshkruar”, tha ai.

Bilall Kasami nga BESA tha se partia e tij do të angazhohet në maksimum për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. “Ju bëjmë thirrje që të gjithë votuesve, përkrahësve dhe simpatizantve të Lëvizjes BESA që të japin kontributin e tyre për zgjedhje fer dhe demokratie”, apeloi ai.

Në nënshkrimin e Kodeksit për zgjedhje korrekte dhe demokratike morën pjesë edhe përfaqësues të korit diplomatik në vend, ambasadori i SHBA-ve, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, zv/ambasadori i BE-së, shefi i Misionit OSBE/ODIHR, si dhe të gjithë anëtarët e KSHZ-së dhe përfaqësues të tjerë të partive.


Arivisti Company