Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

U takuan myftiu Tërnava e ministri Gashi për çështjen e ezanit

Prizren Post | 18:58 - 03.02.2014

Prishtinë, 3 shkurt – Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava priti sot në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, i cili shoqërohej edhe nga sekretari i i përgjithshëm, Arben Çitaku.

Myftiu Tërnava e ministri Gashi në takim, përveç tjerash, biseduan edhe për debatin e ngritur në opinion lidhur me” Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma”, i cili u miratua në parim ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Ministri Dardan Gashi tha se ligji nuk ka të bëjë më ndalimin e ezanit. Mirëpo, përmes këtij projekt ligji synohet të rregullohet në parim niveli i zërit dhe të mbrohen objektet fetare nga zhurma e jashtme.

Myftiu Tërnava dhe ministri Gashi u dakorduan që projektligji të riformulohet dhe çështjet që kanë të bëjnë më objektet fetare të përgatiten bashkërisht me BIK, dhe ndryshimet e nevojshme të behën në komisionin përkatës . Ata po ashtu theksuan se nuk duhet politizuar feja për interesa politike dhe partiake. Bashkësia Islame e Kosovës ka të gjitha kapacitet e nevojshme që të adresojë çështjet që kanë të bëjnë me fenë në institucionet e vendit dhe bashkërisht të bëjnë më të mirën.

Ministri Gashi tha se ” Projektligji për mbrojtjen nga zhurma” assesi nuk ka frymë antifetare. Përfshirja e rregullimit të zërit gjatë thirrjes së ezanit në këtë projektligj është si pasojë e mosmiratimit tëLigjit për bashkësitë fetare të Kosovës. Shpresoj se me miratimin e Ligjit për bashkësitë fetare edhe kjo çështje do të rregullohet në atë ligj dhe do të hiqet nga ligji për zhurmën.

Myftiu Tërnava e ministri Gashi u dakorduan se as tani e as në të kaluarën nuk ka pasur dallime sa i përket kësaj çështjeje në mes të dy institucioneve dhe shumë shpejt do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin e këtyre dy institucioneve në disa fusha./koha/


Etiketa:
Arivisti Company