U thirrën në emër të luftës por e keqpërdorën atë


E mërkurë, 28 Maj 2014

Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka qëndruar në fshatra të Skenderajt, ku ka thënë se nuk mund të këtë demokraci pa një liri totale dhe të drejta të njeriut.

“Nisma është forcë e re e cila po vjen duke u rritur çdo ditë e me shumë, pasi që tani jemi bërë forcë e ndryshimit dhe ndryshimi do të vijë me 8 qershor”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka takuar edhe banorët e Klinës së Ulët dhe Likocit, ku ka shpalosur programin e subjektit më të ri në vend, i cili po fuqizohet dita ditës.

Krasniqi gjatë ditës ka qëndruar edhe në Gjakovë, ku është bërë prezantimi i kandidatëve për deputetë në Parlamentin e Kosovës. Krasniqi gjakovarëve u ka thënë se është shumë e vështirë që edhe pas shumë viteve liri, vendi nuk është në situatë të mirë.

“Kosova ka pasur mundësi të qeverisë shumë më mirë me vendin, t’i shfrytëzoj kapacitetet e saja, mirëpo vetëm një grup është pasuruar në këtë vend dhe të tjerët kanë mbetur të varfër, madje kurrë më shumë së sot Kosova s’ka pasur klasë shoqërore më të pasur dhe klasë shoqërore më të varfër se tani”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi po ashtu ka shtuar se ata që janë thirrur në emër të luftës e kanë keqpërdorur atë, sepse ka persona që nuk dinë me respektu ligjin dhe abuzojnë me shtetin. /Kosovapress/

Të fundit