Uh! Evropë, ti kurva e motit!..


E hënë, 17 Tetor 2022

Editorial: Jetmir Maloku
Prizren Post – Kryeredaktor

Kjo shtyrje e mëtejshme e heqjes së regjimit të vizave për Kosovën vazhdon të jetë politikë shkurtpamëse dhe e dëmshme për Kosovën dhe Bashkimin Europian.

Është një ecejake poshtëruese që Europa i bën popullit të Kosovës, herë duke dhënë rekomandime pozitive e herë duke kushtëzuar pa arsye! Ishte Komisioni Europian që kishte rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018.
Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin Vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti ynë i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja.

Këtë herë rolin e Brutit e mori përsipër një shtet që ne e konsiderojmë mik, Franca, miku që pa përtesë na theri pas shpine në kohën kur ne nuk e prisnim. Ishin pikërisht Franca, Gjermania dhe Polonia, të cilat një muaj më parë dolën me deklaratën e përbashkët për heqjen e vizave për Kosovën. Ky qëndrim francez nuk zgjati shumë, ata propozuan që liberalizimi i vizave të bëhet në kohën kur sistemi ETIAS të hyjë në funksion në Bashkimin Europian. Ky sistem është kërkuar që të funksionalizohet pas shqetësimeve në rritje për terrorizmin dhe krizën me migrantë në Europë. Sipas pritshmërive ky sistem mund të bëhet aktiv nga fundi i vitit 2023. Ky kushtëzim i lë kosovarët në pritje dhe shpresë që një ditë edhe ne ta gëzojmë këtë të drejtë lëvizjeje.

Nga vetë titulli i këtij editoriali kuptojmë që Europa ka kohë që vazhdon ta konsiderojë popullin shqiptar si një popull të botës së tretë. Me vendimet diskriminuese që kishte bërë Europa një shekull më parë ndaj shqiptarëve, shkrimtari/atdhetari Gjergj Fishta e kishte mveshur atë me petkun e kurvërisë. Atë kohë Europa duke favorizuar popujt fqinjë, kishte mbyllur sytë para megaloideve dhe projekteve shoviniste të tyre.

Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá tokën e Shqypnís,
Për me mbajtë klysht e Rusís?
Po ti a kshtû sod na i perligje,
Njata burra qi m’ kto brigje,
Për tý vehten bâne flije,
Kur ti heshtshe prej ligshtije?

Át Gjergj Fishta, Lahuta e Malcís, Kanga XIII, vargjet 40–49 (Shkodër, 1933).

Jemi në një periudhë të ngjashme me atë të Fishtës, në ditët e sotme Europa vazhdon të qëndrojë indiferente ndaj veprimeve serbe kundrejtë Kosovës dhe përkrahjes që i bëjnë Rusisë. Nga ana tjetër ne jemi përsëri delja e zezë në kopenë europiane që bariu i saj soditë matanë Atlantikut.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen. Ndërkohë deri më 21 tetor, vendet anëtare të BE-së kanë afat që t’i dërgojnë komentet e tyre me shkrim lidhur me liberalizimin e vizave. Kështu kanë thënë burimet diplomatike në Bruksel pas diskutimit të grupit punues.

Kurva e motit është po ajo që ishte një shekull më parë, por që vetëm grimi dhe fjalët ledhatuese kanë ndryshuar!…

Etiketa: ,

Leave a Reply