Universiteti i Prishtinës së shpejti me kurse të gjuhës rome


E hënë, 24 Korrik 2023

PRISHTINË – Për një komunitet është e rëndësishme ruajtja e gjuhës dhe mësimi i saj nga brezat e rinj.

Në Qendrën e Gjuhëve në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është planifikuar të hapet një kurs, ku për herë të parë do të mësohet gjuha bazike rome.

Lindita Rugova, dekane në Fakultetin e Filologjisë, thotë se aktualisht gjithçka është në fazën e planifikimit.

“Unë e kam një ide ta hap një kurs të gjuhës rome, jo program, jo departament, një kurs në Qendrën e Gjuhëve, të cilën e kemi themeluar para dy vjetësh… Të fillojmë ndoshta në vjeshtë”, thotë Rugova për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, ideja është që kursi të bëhet fillimisht pa pagesë.

Ajo thotë se një mësimdhënës, i cili është gjuhëtar, pothuajse është siguruar.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë konfirmon për REL-in se numri i mësimdhënësve të komunitetit rom në Kosovë është dhjetë, por nuk është e qartë se çfarë niveli të shkollimit kanë ata.

Nga organizata “Roma Versitas” në Kosovë, qëllim i së cilës është integrimi dhe përfshirja e komunitetit përmes arsimit, thonë se sigurimi i mësimdhënësve për kursin e planifikuar, mund të jetë sfidues.

“Sa u përket gjuhëtarëve, e di që janë 2-3 romë me diplomë master në këtë fushë dhe ata kanë studiuar jashtë. Nuk ka asnjë mundësi që këta njerëz të studiojnë në Kosovë, sepse nuk ka një profil të tillë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Avni Mustafa përfaqësues i organizatës “Roma Versitas”.

Ngjashëm shprehet edhe Bashkim Ibishi, drejtor ekzekutiv i OJQ-së Advancing Together, e cila merret me integrimin e komuniteteve në Kosovë.

“Janë tre mësimdhënës [të gjuhës rome] dhe këta kanë qenë të sponsorizuar nga organizatat ndërkombëtare, nuk kanë qenë të sponsorizuar nga buxheti i Kosovës”, thotë Ibishi për REL-in.

Mësimi i gjuhës rome është akredituar nga Ministria e Arsimit në Kosovë në vitin 2010, si mësim plotësues dhe zgjedhor për nxënësit e interesuar, vetëm në katër shkolla të Komunës së Prizrenit.

Nga kjo ministri kanë thënë se po bëjnë përpjekje që mësimi zgjedhor në gjuhën rome të zgjerohet edhe në komuna të tjera, përveç Prizrenit.

Etiketa: , ,
Të fundit