UP “Hasan Prishtina” deklaron luftë ndaj shkelësve të ligjit


E martë, 17 Dhjetor 2013

up

Prishtinë, 17 dhjetor – Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës dhe menaxhmenti thonë se janë duke e analizuar me shumë kujdes situatën e krijuar pas arrestimeve të disa personave në këtë institucion, me dyshimin se janë marrë me veprimtari të kundërligjshme.

“Brenda kompetencave dhe kuadrit ligjor, jemi duke i shqyrtuar të gjitha masat e mundshme ndaj gjithë atyre, që, në çfarëdo forme, janë përgjegjës për situatën e krijuar ose janë shkelës të drejtpërdrejtë të detyrave të punës. Udhëheqja e UP-së është e përcaktuar që t’i shkojë deri në fund zbardhjes së kësaj çështjeje”, thuhet në komunikatën e Këshillit Drejtues të UP-së.

Në këtë kuadër, këshilli inkurajon të gjithë ata që kanë informacione shtesë për abuzime në Universitetin e Prishtinës, që të bashkëpunojnë me udhëheqjen e UP-së dhe me organet e drejtësisë, si dhe njëkohësisht kërkojnë nga drejtësia që të jëtë e pakompromis ndaj atyre që janë pjesë e UP-së dhe që e kanë shkelur ligjin, theksohet në fund të komunikatës së nënshkruar nga Muharrem Nitaj, Kryetar i Këshillit Drejtues të UP-së.