E shtunë, 27 Tetor 2018
MOSKË – Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë e ka marrë me shqetësim vendimin e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pakove të ligjeve për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri dhe ka paralajmëruar se “një vendim i tillë kërcënon stabilitetin e Ballkanit”.
Siç shkruan gazeta serbe “Novosti” Rusia disa herë ka paralajmëruar bashkësinë ndërkombëtare se pretendimet e tilla nuk janë në përputhje me Rezolutën 1244, sipas së cilës në Kosovë mund të ketë vetëm forca ushtarake shumëkombëshe nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, përcjell Telegrafi.
“Askush nuk mund të japë garanci se të ‘ashtuquajturat’ forca të armatosura, kurrizi i të cilave përbëhet nga ‘terroristët e UÇK-së’, nuk do të përdoren kundër popullatës serbe në veri”, citon gazeta serbe tekstin e reagimit të diplomacisë ruse.
Më tej, sipas gazetës serbe, Ministria e Punëve të Jashtme Ruse, paralajmëron se ata që përkrahin Kosovën po përpiqen që me shpejtësi të riorganizojnë Forcat e Sigurisë së Kosovës në një ushtri, “për të transferuar sa më shpejt ish militantët nën ombrellën e NATO-s”.
Etiketa: Aktuale, Kosova, Rusia, Ushtria e Kosovës