Ushtria jonë në fokusin e mediave botërore

Kosova sot u bë me ushtri. Kuvendi i Kosovës hapi rrugën për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri përmes miratimit të pakos së ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes, mandatin e ri të FSK-së dhe shërbimin në FSK.

Lajmi i madh për kosovarët zuri vend edhe nëpër mediat më të mëdha botërore.

Nëpër shkrimet ndërkombëtare s’u anashkalua as kundërshtimi i Serbisë për ushtrinë.

“Ëndërrimtarët e ushtrisë së Kosovës zemërojnë fqinjët serbë” ishte titulli i shkrimit të BBC-së për transformimin e FSK-së.

Se Serbia ishte e fuqishme në kundërshtimin e saj për ushtrinë tregojnë edhe titujt e Al Jazeera, The Washtingon Post e New York Times.

“Parlamenti i Kosovës aprovon formimin e ushtrisë pa marrë parasysh kundërshtimin e ashpër të Serbisë”

“Kosova aprovon ushtrinë e re pa marrë parasysh kundërshtimin e Serbisë”

“Parlamenti i Kosovës voton krijimin e një ushtrie, duke kundërshtuar Serbinë dhe NATO-n”

“Kosova miraton masën për të formuar ushtrinë kombëtare” shkroi Agjencia turke Anadolu.

“Legjislatura e Kosovës miraton krijimin e ushtrisë kombëtare”. shkroi DW.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjatë ditës së sotme, kanë votuar pakon e transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Me 107 vota për dhe një abstenim fillimisht ka kaluar ligji për Ministrinë e Mbrojtjes. Për këtë ligj u paraqiten 11 amandamente të cilat kaluan radhazi në Kuvendin e Kosovës.

Më këtë Ligj bëhet riorganizimi dhe kalimi i MFSK-së në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi FSK-në me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës më pas kanë votuar pro projektligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Ky ligj përcakton kompetencat, organizimin dhefunksionimin e FSK-së , si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe interesave e Republikës së Kosovës, dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.

Kuvendi i Kosovës në fund ka votuar edhe projektligjin e tretë të pakos së transformimit të FSK-së në ushtri, që është ai për shërbim.

Me 107 vota për, ligjvënësit kosovarë kanë votuar këtë projektligj që ka të bëjë me parimin e ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, jo diskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies, njofton Klan Kosova.

Ky projektligj përcakton kriteret e përgjithshme për shërbim, parametrat e shërbimit, kohëzgjatjen e shërbimit, zhvillimin e karrierës, ndërprerjen e shërbimit, statusin e pjesëtarit të FSK-së, të drejtat dhe detyrimet e pjesëtarëve dh çështje tjera në kuadër të shërbimit në FSK.

Etiketa: , ,

Leave a Reply