Vazhdojnë negociatat për një mandatar të ri në Mal të Zi


E martë, 20 Shtator 2022

PODGORICË – Partitë që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në gusht të vitit 2020 në Mal të Zi, Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe Lëvizja URA, janë pajtuar që Miodrag Lekiq të mandatohet për të formuar Qeverinë e re.

Megjithatë, ky propozim nuk ka mbledhur 41 nënshkrime, aq sa kanë deputetë këto parti në Parlamentin e Malit të Zi, i cili ka 81 ulëse për deputetë.

Marrëveshja për mandatarin e ri u arrit para se të skadonte afati për një gjë të tillë, në mesnatën e 19 shtatorit, kur presidenti i shtetit Milo Gjukanoviq duhet të propozojë mandatarin për krijimin e Qeverisë, në bazë të propozimit të mbështetur me nënshkrimet e të paktën 41 deputetëve.

Lideri i Frontit Demokratik, Andria Mandiq, ishte i pari që njoftoi se është arritur pajtim për formimin e Qeverisë së re dhe për mbështetjen për Lekiqin.

“Sot, të gjithë e mbështetën atë dhe të gjithë u pajtuan që ta njoftojmë presidentin e Malit të Zi që t’i japë mandatin Lekiqit”, tha Mandiq pas takimit.

Pas këtij takimi, deputeti Dragan Kërpoviq tha se ende nuk ka nënshkrime të mjaftueshme që Lekiq të propozohet për mandatar, por shtoi se ekziston “mbështetja verbale”.

Zyrtarët e Lëvizjes URA nuk kanë dhënë nënshkrimet që Lekiq të bëhet mandatar për kryeministër.

Etiketa: ,

Leave a Reply