Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Vazhdojnë rrënimet e ndërtesave me vlerë në Qendrën Historike

Prizren Post | 20:09 - 11.06.2019

PRIZREN – Qendra Historike e Prizrenit (QHP) ende është duke vuajtuar nga rrënimet pa leje e të (pa)qëllimshme të ndërtesave me vlerë të trashëgimisë kulturore. Rasti i fundit është ndëtesa në rrugën Berati ku vërehet rrënimi i gati gjysmës së ndërtesës.

Ky rrënim bëhet më shqetësues për faktin se kjo ndërtesë është pjesë përbërëse e projektit “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti” në Qendrën Historike të Prizrenit i hartuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe EC Ma Ndryshe, përderisa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe është mbështetur nga Komuna e Prizrenit.

Javë më parë, ministri i kulturës Kujtim Gashi ka theksuar se rruga “Marin Barleti” në Prizren do të revitalizohet dhe do të investohen mbi 2 milion euro. “Projekti “Revitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” është një projekt ambicioz dhe tepër i rëndësishëm për qytetin e Prizrenit, pasi që ngërthen në vete trajtimin e 14 ndërtesave të banimit të cilat fatkeqësisht nuk janë në gjendjen e dëshirueshme. Edhe përkundër faktit që zbatimi i këtij projekti paraqet një ngarkesë buxhetore për MKRS-së, ai do të zbatohet në përpikmëri, në respektim të standardeve të larta profesionale dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi” është shprehur Gashi.


Etiketa:
Arivisti Company