SHBA mbështesin Kosovën për UNESCO dhe Interpol


E enjte, 27 Gusht 2015

“Bazuar në formulën e Vjenës, Kosova ka të drejtë për anëtarësim në UNESCO, si rezultat i të qenit anëtar i dy agjencive të specializuara të OKB-së, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore”.

SHBA kanë dalë hapur në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe në INTERPOL, dy mekanizma të fuqishëm ndërkombëtarë që do të afirmojnë sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës dhe ndërkohë u kanë bërë thirrje edhe vendeve anëtare në OKB që ta mbështesin edhe ato.

Këtë qëndrim të Qeverisë amerikane e arsyetoi në takimin e fundit në Këshillin e Sigurimit ambasadori David Pressman, duke thënë se ‘SHBA mbështesin plotësisht anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.’

Anëtarësimi në UNESCO përforcon përgjegjësitë e shtetit

“Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të përforcojë rëndësinë e që bashkësia ndërkombëtare i kushton objekteve të trashëgimisë botërore në Kosovë dhe përgjegjësive të autoriteteve të Kosovës për ruajtjen e këtyre objekteve,” tha Pressman.
Ai shtoi më tej se ‘bazuar në formulën e Vjenës, Kosova ka të drejtë për anëtarësim në UNESCO, si rezultat i të qenit anëtar i dy agjencive të specializuara të OKB-së, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

“Ne besojmë se është e rëndësishme dhe të gjitha shtetet anëtare duhet të mbështesin Kosovën në këtë përpjekje,” tha Pressman.

Izolimi i Kosovës pengon përpjekjet tona kolektive

Ambasadori amerikan ka theksuar edhe mbështetjen për anëtarësim në INTERPOL duke thënë se ai është thelbësor për bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe zbatimin e ligjit në gjithë Ballkanin.

“Ne përsërisim thirrjen tonë për të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara që të njohin rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL si një mjet për të lehtësuar më tej bashkëpunimin në zbatimin e ligjit për antiterrorizmin dhe krimin e organizuar. Është në interesin e të gjithë neve ta miratojmë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit në nëntor. Izolimi i Kosovës nga pjesëmarrja në instrumentet e bashkëpunimit ndërkombëtar për çështje të rëndësishme si kjo, vetëm pengon përpjekjet tona kolektive,” tha në mes tjerësh ambasadori amerikan.

Etiketa: , , ,
Të fundit