Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Veliaj: Kandidoni personalisht përballë meje, por mos ta lëmë Tiranën pa shërbime

Prizren Post | 10:26 - 10.04.2019

TIRANË – Partia Socialiste ka vendosur të rikandidojë Erion Veliajn për një tjetër mandat në krye të bashkisë së Tiranës, institucion të cilin e drejton prej korrikut të 2015-ës.

Megjithatë “djegia” e mandateve nga opozita dhe deklarata e saj se nuk do të marrë pjesë në asnjë palë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, kanë vënë pikëpyetje mbi zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor.

Vetë Veliaj, i ftuar në emisionin Top Show, theksoi se po përgatitet për zgjedhje më 30 qershor, duke thënë se beson se procesi do të mbahet normalisht.
“Ligji e kërkon më 30 qershor, pasi ka një afat 4-vjetor për të përmbushur një mandat dhe unë jam betuar në fund të korrikut. Mua nuk më rezulton që partia Demokratike ka kërkuar shtyrjen, por thjesht nuk do të hyjë në zgjedhje. Unë për vete jam përgatitur që më datën 30 Qershor të kemi zgjedhje dhe t’u kërkoj qytetarëve një mandat tjetër, për të çuar Tiranën përpara, përtej bindjeve politike”, tha Veliaj.

Nëse opozita nuk hyn në zgjedhje, atëherë fitorja për Veliajn do të bëhet më e lehtë, por vetë kryetari i bashkisë ftoi vetë liderët e PD-së, Berisha e Basha, që të garojnë përballë tij në kryeqytet.
“Unë jam për një palë zgjedhje, kur përballë meje të kandidojë vetë Luli, apo vetë Saliu. Dua të vijë më i forti prej tyre, të përballet me mua, por ata nuk gjejnë një kandidat dhe kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhje. Nëse mbaron mandati im, pa u zhvilluar zgjedhjet, atëherë firma ime nuk vlen për asgjë dhe mos harroni, firmos rreth 1000 urdhra në ditë. Prandaj ne duhet të shkojmë në zgjedhje dhe të rinovojmë mandatin, pasi nuk mund të lëmë qytetin pa shërbime”, theksoi kreu i bashkisë, Erion Veliaj.


Etiketa:
Arivisti Company