Veriu i Kosovës 20 vjet ishte El Dorado për kriminelët


E enjte, 11 Gusht 2022

PRISHTINË – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë se veriu i Kosovës ishte El Dorado për kriminelët në 20 vitet e kaluara.

Ai thotë se serbët, shqiptarët dhe boshnjakët janë gjithashtu të përfshirë në krim, por se ata kanë mbështetje politike për aktivitetet e tyre ilegale në Beograd.

Si shembull për ekzistimin e lidhjes mes krimit dhe politikës, ai përmend Milan Radoiçiqin, nënkryetarin e Listës Serbe, i cili është në listën e zezë të SHBA-së dhe që, siç thotë ai, gëzon mbështetjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Kur analizojmë situatën e sigurisë në veri, kuptojmë se nuk është bëhet fjalë vetëm për krizën e fundit. Veriu i Kosovës, pra katër komunat në veri të Kosovës, si zonë ishin si një ‘vrimë e zezë’ në sundimin e ligjit. Është një zonë e karakterizuar nga një nivel i jashtëzakonshëm i kontrabandës së mallrave, ku kanë ndodhur në kontinuitet vepra të ndryshme kriminale dhe të pandëshkueshme”, thotë Sveçla, në një intervistë për median serbe “N1”.

Ai rikujton se në muajt e fundit Policia e Kosovës ka zbuluar pesë laboratorë droge në veri, si dhe punëtori të mihjes së Bitcoin-it që punonin në të zezë.

“Ne ndaluam dhjetë kamionë me mallra kontrabandë, veçanërisht mallra me akcizë dhe u përballëm me grupe të ndryshme kriminale që po përpiqeshin të ruanin këtë situatë kriminale. Ka një lidhje të qartë mes politikës dhe krimit dhe kur them krim e kam fjalën për lidhje multinacionale. Pra, sa herë i kemi arrestuar grupet kriminale, ato përbëheshin nga shqiptarë, serbë, boshnjakë, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia”, thekson Sveçla, transmeton Telegrafi.

Ministri Sveçla shton se megjithatë është karakteristike se Qeveria e Serbisë jo vetëm që i toleron grupet e përmendura kriminale, por edhe i përkrah dhe i shfrytëzon për të bërë presion shtesë mbi popullatën vendase.

Si shembull i lidhjes mes krimit dhe politikës, ai veçon nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili është në listën e zezë të SHBA-ve dhe të cilin drejtësia e Kosovës e ndjek sit ë dyshuar për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Radoiçiq është një person që gëzon mbështetjen publike jo vetëm të Serbisë, por edhe të disa përfaqësuesve politikë të Kosovës, por në të njëjtën kohë është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të pjesëmarrjes së tij në krimin e organizuar. Kemi shumë dëshmi se, ndër të tjera, ai së fundmi ka hyrë ilegalisht në Kosovë. Kemi deklarata nga zyrtarë të Listës Serbe të cilët kanë thënë se Radoiçiq ka qenë në barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht dhe se ka qenë organizator dhe mbrojtës i këtyre barrikadave. Kjo do të thotë se ne kemi prova të mjaftueshme për aktivitetet e tij kriminale”, thotë Sveçla.

Etiketa: , , ,
Të fundit