Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Veseli: Integrimi në BE prioritet nacional

Prizren Post | 17:35 - 16.05.2016

Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Komisionin e Parlamentit Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të kryesuar nga eurodeputeti Tonino Picula.

Në takim u bisedua për bashkëpunimin e shkëlqyer midis Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës, i cili, tani, pas nënshkrimit të MSA-së, ka hyrë në një fazë të re dhe më dinamike të marrëdhënieve.

Kryetari Veseli falënderoi europarlamentarët evropianë dhe veçanërisht kryesuesin e delegacionit, Picula, për kontributin e tyre të vazhdueshëm dhe punën e madhe në raport me Kosovën, e cila u kurorëzua me nënshkrimin e MSA-së.

Takimin e sotëm midis dy komisioneve homologe, kryeparlamentari Veseli e cilësoi moment historik për Kosovën dhe Kuvendin e saj, sepse, siç theksoi ai, është hapi i parë institucional i zyrtarizmit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, i cili bëhet në Kuvendin e Kosovës.

Kreu i Kuvendit tha se integrimi në BE është prioritet i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe prioritet nacional i të gjithë spektrit politik në vend, ndërsa institucionet janë të përkushtuara të plotësojnë secilin standard i cili i kërkohet Kosovës në rrugën e saj drejt këtij procesi, me theks të veçantë, në përafrimin e legjislacionit dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.

“Shpresojmë që brenda mandatit aktual të Kuvendit, pra deri më 2018, do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE”, theksoi kryetari Veseli.

Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Evropian, Tonino Picula, nga ana e tij, uroi kryetarin Veseli për vendimet shumë të rëndësishme për Kosovën gjatë muajve dhe javëve të fundit, duke konfirmuar vazhdimin e përkrahjes së PE-së edhe në të ardhmen.

Ai potencoi angazhimet që duhet ndërmarrë gjatë periudhës në vijim, në funksion të luftës së mëtejmë kundër dukurive negative./telegrafi/


Etiketa:
Arivisti Company