E hënë, 3 Gusht 2015
Shiu i madh që ra në orët e pasdites bëri që të ndërpritet edhe protesta e veteranëve të luftës së UÇK-së të cilët në mesditë u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Ata sot kanë dalë në protestë si shenjë proteste për mospublikimin e listave të veteranëve nga Komisioni Qeveritar për njohjen e statusit të veteranit të UÇK-së. Protesta nuk mblodhi më shumë se rreth 50 veteranë të cilët kanë protestuar në mënyra të ndryshme.
Veteranët herë pas herë kanë brohoritur “Hajna, hajna”, e në duar mbanin pankarta me mbishkrimet “16 vite pa asnjë të drejtë”, “Jeni të pafytyrë”, ndërkaq disa shkonin edhe më tej duke kërkuar që ndërtesës së Qeverisë t’ia vënë flakën me benzinë.
Me një rast ata e kanë sharë dhe ofenduar edhe ish- komandantin e UÇK-së dhe TMK-së Agim Çekun, derisa ky ishte duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë.
E përveq kësaj protestuesit veteranë e gjuajtën me shishe plastike edhe zëvendëskryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi gjatë kohës kur ai po hynte në Qeveri.
Kryetari i Këshillit për Mbr ojtjen dhe të Drejtat e luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, tha se vonesa e publikimit të listave përfundimtare është e qëllimshme.
“Po vonohet me publikimin e listave përfundimtare, kjo është e qëllimshme është e padrejtë që po i bëhet veteranëve të luftës dhe UÇK-së dhe shkaku i këtyre vonesave do të thotë ligji nuk po arrin të zbatohet. Ne po kërkojmë se sa më shpejt këto lista të publikohen listat përfundimtare dhe të filloj të zbatohet ligji”, tha Qeriqi.
Me këtë rast ai shfrytëzoi protestën që ishte për qëllime tjera, t’u bëjë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të mos e votojnë Gjykatën Speciale pasi që kjo po bëhet me qëllime politike
“Jemi të pakënaqur për këtë padrejtësi që po na bëhet nga ndërkombëtarët për arsye se gjithë jemi dëshmitarë edhe ne këtu edhe ndërkombëtarët e dimë mirë se kush ka bërë krime…Mendoj që është e padrejtë kjo por kërkojmë nga deputetët të mos votohet se pse është një gjykatë që do të bëhet për qëllime politike”, tha ai.
E veterani Enver Thaçi tha se disa autobusë, të cilët ishin nisur nga qytete tjera për t’iu bashkangjitur protestës janë ndaluar nga Policia. Edhe ai ka thënë se do të protestohet në afat të pacaktuar.
“Në bazë të disa fjalëve që po na vinë neve veteranëve janë tu ardh me disa autobusë prej disa zonave tjera, kështu që na e kemi afatin e pacaktuar edhe dihet ajo kush është i involvum në këto që i kanë ndal autobusët, na e akuzojmë drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe ministrin e punëve të brendshme që janë të involvuar në këtë punë”, tha Thaçi.
Ndërkohë, Qeriqi tregoi që protesta e tyre do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre por nuk tregoi për hapat konkret se si do të vijojë ajo.
“Do të vazhdojë edhe sonte kështu jemi marrë vesh me siguri që ma vonë do të diskutojmë…Ne ju bëjmë thirrje që të na bashkohen sepse është në të mirën e tyre, në bazë të informatave aq i kemi, marrëveshja me fondin monetar ndërkombëtar në tetor do t’i tërheq ato mjete dhe do t’i bart diku tjetër”, tha Qeriqi
E nëse do të votohet Gjykata Speciale, Qeriqi tha se do t’i bashkëngjiten protestave të cilat do të organizohen nga kushdo qoftë.
Etiketa: Gjykata Speciale, Kosovë, UÇK, Veteranët