Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Vetëvrasja e shoferit të tij, ky është reagimi i ministrit Xhafaj

Prizren Post | 15:35 - 30.06.2018

Tiranë – Vetëm pak orë pasi Shkëlzen Qordja, punonjës i Gardës së Republikës dhe shofer i Ministrit të Brendshëm, u gjet i vetëvrarë në makinë, ka ardhur edhe reagimi i Fatmir Xhafajt.

Ky i fundit thotë se është i shokuar nga lajmi për humbjen e atij, që e quan pjesë të familjes së tij, ndërsa kërkon respekt dhe durim deri në hetimin e plotë të ngjarjes.

“Jam i shokuar dhe nuk gjej fjalë të ngushëlloj prindërit dhe gjithë familjen e Shkëlzenit për humbjen tragjike të jetës së tij. Kjo ngjarje e rëndë ka shkaktuar një dhimbje të fortë njerëzore për mua dhe për të gjithë ata që punuan dhe e njohën nga afër atë. Nuk është dita sot për mua që të bëj politikë dhe as e ndaloj dot që politika të vazhdojë të merret me mua sot. Kam humbur krejt papritur një njeri të afërt, i cili si dhe gjithë familja e tij, ishte bërë si pjesë e familjes sime. Nuk kam asnjë koment për rrethanat e ndarjes së tij nga jeta, sepse prokurorët dhe ekspertët përkatës po punojnë ndërkohë për sqarimin e tyre. Nëse nuk kam se si u kërkoj hienave politike të mos sulen mbi të vdekurin, u lutem mediave që kanë sadopak ndjenjë njerëzore të respektojnë dhimbjen e prindërve, vellezërve, të afermve e miqve të tij”, tha Xhafaj në deklaratën e tij publike.


Etiketa:
Arivisti Company