Vizita e Maqedonisë mungoi në agjendën e Murphy-t në Ballkan


E mërkurë, 22 Tetor 2014

Shkup – Senatori amerikan Chris Murphy i cili ndërmori një tur vizitash në vendet e Ballkanit, përjashtoi Maqedoninë nga agjenda e tij.

Edhe pse qëllimi i vizitës ishte nxitja e bashkëpunimit midis vendeve ballkanike, senatori amerikan duket se nuk e ka parë të arsyeshme të qëndrojë edhe në vendin tonë.

Murphy vizitoi Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Kroacinë dhe Malin e Zi, por në agjendën e tij mungoi Maqedonia.

Senatori amerikan nuk e ka bërë të qartë arsyen e anashkalimit të Shkupit zyrtar.

Në largim, senatori amerikan dha disa mesazhe të forta për nevojën e pranisë më të madhe të SHBA-së në këtë rajon dhe për atë që ai e quajti tendencë e Rusisë për të zgjeruar ndikimin në Ballkan.

“Po largohem nga rajoni plot shpresë, por po largohem gjithashtu me një ide të qartë se ky rajon, veçanërisht Ballkani Perëndimor ka nevojë për një prani aktive të Shteteve të Bashkuara. SHBA kanë ambasada të mrekullueshme, veçanërisht në Tiranë, të cilat po bëjnë një punë shumë të mirë. Ne kemi nevojë për më shumë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, më shumë senatorë, më shumë vëmendje nga Departamenti ynë i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë. Ky është një moment specifik për Ballkanin. Jemi në prag të fitoreve të mëdha këtu. Ka kombe që janë kthyer drejt ekonomive euro-atlantike, drejt institucioneve politike euro-atlantike”, tha Murphy./zhurnal/

Etiketa: ,