VV: Isa Mustafa bëri tradhëti


E enjte, 20 Nëntor 2014

image

Prishtine – Dardan Molliqaj e Visar Ymeri nga lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se lideri i LDK-së, Isa Mustafa, bëri tradhti kur vendosi të lidhte koalicion qeverisës me PDK-në.
Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, duke folur në emisionin “Zona e Debatit” të Klan Kosovës tha se Vetëvendosje si subjekt ka qenë korrekte brenda Bllokut, për shkakun se ajo ka besuar në mos vazhdimin e qeverisjes nga PDK.

Molliqaj thotë se kanë qenë partia që më së shumti kanë bërë për ta ruajtur koalicionin paszgjedhor.

“Kemi qenë insistues që shumicën parlamentare ta ruajmë. Kjo çka ndodhi tash e konfirmon se po të ishte ruajtur shumica parlamentare vendi do ta kishte një përfytyrim krejt të ri”.

“Një person politik jep zotime dhe e ndërron atë që e ka thënë, ajo është tradhti. Veprimet e dy prej partnerëve tanë kanë qenë të llojit të tij. Ajo që ka bërë Mustafa është qind për qind tradhti”.

“Krejt ky bashkëpunim ka ndodhur pa ndërhyrjen e të tjerëve. Kjo tradhti e tij për ambicie personale, e ka emrin tradhti”, tha Molliqaj.

Edhe deputeti i kësaj partie, Visar Ymeri, thotë se kanë dashur që me çdo kusht që Blloku të çojë qëllimin deri në fund. Duke folur për marrëveshjen e 10 shtatorit, Ymeri tha se nënshkrimi i asaj marrëveshje, e nënshkruar nga katër liderët, doli të tradhtohej nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Ai përmend edhe tri çështjet për të cilat LDK-AAK-Nisma e Vetëvendosje i nënshkruan në marrëveshjen në fjalë.

“Ne kemi menduar që mënyra dhe zgjidhja më e mirë do të ishte njëherë të largohej PDK sepse ka qenë vlerësim i të gjithëve së bashku”.

“Kemi menduar se kapja e shtetit duhet të përfundojë në mënyrë që në Kosovë të mundësohet një fillim i ri në shtetndërtim.

“E kemi bërë të qartë synimin tonë në tri çështje: çlirimit të institucioneve, përqendrimit në zhvillimin ekonomik si dhe transformimin e kursit të cilin e ka vendosur Thaçi”.

“Me tërë ato diskutime që kemi pasur me subjektet tjera janë pranuar këto, dhe e kanë nënshkruar 4 liderët. Ai i LDK-së, AAK-së, Nismës e Vetëvendosjes”.

“Mustafa është tërhequr nga kjo marrëveshje. Kur nënshkruan një marrëveshje dhe nuk i përmbahesh asaj, kjo është tradhti. Fjala tradhti, për mua në politikë, është tradhtia kur ti në fakt e përdor postin publik për qëllime personale”, tha Ymeri.

Molliqaj dhe Ymeri thanë se Vetëvendosja do ta jetë zë i fuqishëm i opozitës në Kuvend.

Të fundit