E martë, 17 Maj 2016
Lëvizja Vetëvendosje në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës organizuan sot tribunë.
Në këtë tribunë u fol për problemin e barrikadës mbi Urën e Ibrit dhe për kushtet që po i nxjerrë Serbia për heqjen e asaj barrikadë, siç është edhe lëvizja e vijës administrative të Komunës së Mitrovicës.
“Ata po kërkojnë që të ndërrohet vija administrative, ashtu që i gjithë rripi përgjatë bregut verior të lumit Ibër, që përfshin fshatrat Suhadoll, Vinarc e Gushafc dhe lagjen e Doktorëve, t’i takojë komunës në veri, dhe nëpërmes Çabrës të bashkoheshin me Komunën e Zubin Potokut. Në këtë mënyrë, lumi Ibër do të shndërrohej në kufi natyral dhe Serbia do ta merrte nën kontroll të plotë Liqenin e Ujmanit dhe gjithë rrjedhën e lumit Ibër. Kjo është e papranueshme dhe tepër e rrezikshme jo vetëm për Mitrovicën por mbarë Kosovën”, tha ndër të tjera koordinatori i Qendrës së Vetëvendosjes në Mitrovicë, Faruk Mujka, pasi shpjegoi në mënyrë kronologjike problemin e ndarjes së qytetit të Mitrovicës, që nga barrikada e parë, e deri tek Plani i Ahtisaarit dhe tutje.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, shpjegoi në detaje problemin e vijës administrative të Kom unës së Mitrovicës, si dhe shtoi se në bashkëpunim me qytetarët e kësaj komunë nuk do të lejojë që të ndërrohen kufijtë komunal.
“Ne si Komunë i kemi kryer të gjitha obligimet tona për revitalizimin e Urës së Ibrit, ashtu që njerëzit ta gëzojnë lirinë e lëvizjes. Në çdo takim që kam pasur deri sot si në Kosovë, ashtu edhe në Bruksel, ua kam thënë troç se në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë të ndryshohen kufijtë komunal. Nuk lejojmë cenimin e mëtutjeshëm të Mitrovicës. Për këtë kemi përkrahjen edhe të qytetarëve, jo veç të Mitrovicës por të të gjithë Kosovës”, tha Bahtiri, i cili përmes hartave prezantoi para të pranishmëve padrejtësinë e radhës që po tentohet t’i bëhet Mitrovicës, përtej Planit të Ahtisaarit.
Në këtë tribunë mes shumë të pranishmëve kishte edhe banorë të pjesës veriore të Mitrovicës. Mes diskutimeve të shumta u theksua mungesa e vullnetit politik të Qeverisë së K osovës për ta shtrirë sovranitetin në veri në vendit.
Sipas një komunikate të VV-së, si pasojë, ende nuk ka liri dhe siguri për shqiptarët që jetojnë atje, kurse, shumë e shumë të tjerë ende nuk kanë arritur të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, nga të cilat u dëbuan kohë më parë përmes spastrimit etnik që e bënë strukturat paralele, ilegale e kriminale serbe.
Etiketa: Mitrovicë, Vetëvendosje