VV: Protesta kundër 1 ton fishekzjarreve është e drejtë, institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi!


E shtunë, 14 Korrik 2018

Prishtinë – Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë e mbështet protestën e qytetarëve që po zhvillohet në kundërshtim të përdorimit të 1 ton fishekzjarreve në kampusin universitar pranë Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.

Pas sensibilizimit të gjerë që ka ndodhur këtë vit në Prishtinë për nivelet alarmante të ndotjes së ajrit, të gjithë qytetarët dhe të gjitha subjektet politike janë vetëdijësuar në maksimum për këtë gjendje të rëndë. Komuna e Prishtinës dhe Qeveria do duhej të kishin reaguar, dhe do duhej të kishin marrë masa edhe më herët për ta përmirësuar cilësinë e ajrit në Prishtinë. Fakti që nuk janë marrë këto masa në vitet e kaluara nuk mund të shërbejë si pretekst për të mos i ndërmarrë ato sot, e aq më keq të përdoret si pretekst i krerëve të institucioneve lokale dhe qendrore për ta hequr përgjegjësinë nga vetja. Ndotja e ajrit në Prishtinë është problem shumë serioz, dhe kjo ndotje nuk luftohet duke bërë pirueta retorike.

Në dhjetor 2017, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka nënshkruar dhe lëshuar një urdhëresë për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike (fishekzjarre, etj.) në vende publike nga data 30 dhjetor deri më 3 janar 2018. Kjo urdhëresë e nënshkruar nga Shpend Ahmeti e hedh poshtë pretendimin e tij të sotëm se komuna nuk merret me dhënien e lejeve për përdorimin e mjeteve piroteknike. Urdhërsa e dhjetorit, në kohën kur Shpend Ahmeti ishte ende pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, tregon se kur ekziston vullneti politik, Kryetari i Komunës edhe di edhe mund të merret me ndalimin e këtyre mjeteve që kontribuojnë drejtpërdrejt në ndotjen e mëtejshme të ajrit në Prishtinë dhe në sigurinë fizike të qytetarëve. Mirëpo, duket se sot Shpend Ahmetin e ka kapur amnezia, dhe ka harruar se çdo të thotë të jesh një kryetar komune i përgjegjshëm para qytetarëve.

Nga ana tjetër, me reagimin e sotëm, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) hoqi gjithashtu dorë nga përgjegjësia për ta mbrojtur ambientin duke ia kaluar përgjegjësinë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), sikur të mos ishin të dyja këto ministri pjesë e së njëjtës qeveri. Qeveria, si në shumë raste të tjerë, jo vetëm nuk ndërmerr masa për t’i mbrojtur qytetarët por edhe merr vendime që e rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.

Institucionet janë duke u tallur me qytetarët. Sakaq asnjë nuk po vepron për ta ndalur përdorimin e sotëm të 1 ton fishekzjarreve në mes të Prishtinës. Theksojmë edhe një herë faktin se asnjë institucion nuk e ka bërë publik vendimin e plotë për dhënien e lejes së sotme, dhe nuk i ka treguar emrat e zyrtarëve komunalë dhe qeveritarë që e kanë nënshkruar këtë leje. Kjo mungesë transparence nga Komuna dhe nga Qeveria është e papranueshme!

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë kërkon edhe një herë parandalimin e përdorimit të 1 ton fishekzjarreve në koncertin e sotëm si masë e menjëhershme, si dhe hartimin e një rregulloreje që do ta ndalonte ndotjen e ajrit me sasi të tilla mjetesh piroteknike edhe në të ardhmen, njofton qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë.

Etiketa: , ,
Të fundit