E enjte, 26 Shkurt 2026

Në një epokë ku dominon kultura e abonimeve me pagesë, komuniteti i Wikipedia-s ka krijuar WikiFlix, një platformë transmetimi krejtësisht falas dhe pa nevojë për regjistrim që synon të kthejë vlerat themelore të internetit si ndarja e hapur e kulturës.
Projekti ofron mbi 4.000 filma që i përkasin domenit publik, duke i bërë ata lehtësisht të kërkueshëm për publikun e gjerë. WikiFlix nuk është thjesht një arkiv, por një katalog i organizuar që mbledh skedarë video nga Wikimedia Commons, Arkivi i Internetit dhe YouTube, duke e përditësuar bazën e të dhënave çdo orë përmes Wikidata-s.
Qëllimi kryesor i krijuesve ishte t’u jepet një prezantim më tërheqëse këtyre materialeve historike, të cilat shpesh janë të vështira për t’u gjetur në burimet e tyre origjinale. Bashkë me të është lançuar edhe WikiVibes, një projekt i ngjashëm i dedikuar muzikës dhe tingujve që ndjek të njëjtin parim të aksesit të hapur.
Platforma është një pasuri e vërtetë për dashamirësit e historisë së kinematografisë, pasi përfshin tituj të pavdekshëm si Nosferatu, kryevepra sovjetike Anija Potemkin, filmat ikonikë të Charlie Chaplin si The Gold Rush, si dhe filmin vizionar të Georges Méliès, A Trip to the Moon.
Përdoruesit mund t’i eksplorojnë filmat sipas zhanreve të ndryshme, nga stili noir te vizatimet e vjetra, si dhe përmes kategorive të veçanta që nderojnë kontributin e grave në regji, siç është rasti i Mabel Normand.
Sistemi i renditjes bazohet në numrin e lidhjeve që çdo titull ka në Wikidata, duke nxjerrë në pah filmat më me ndikim në historinë e artit. Për sa i përket përgjegjësisë editoriale, WikiFlix zbaton një proces përzgjedhjeje për të ruajtur standardet etike të argëtimit.
Filmat që përmbajnë mesazhe raciste apo fashiste, të cilat mund të gjenden në disa produksione të hershme, nuk shfaqen në faqen kryesore apo në rekomandimet automatike. Megjithatë, këto materiale mbeten të disponueshme përmes kërkimit manual për qëllime edukative dhe kërkimore.
Kjo zgjedhje lejon që WikiFlix të shërbejë si një mjet argëtimi i përshtatshëm për të gjithë, pa fshirë dokumentet historike që dëshmojnë ndryshimin e normave shoqërore përgjatë dekadave. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
