Zafir Berisha bashkohet me Haskukën për të ndryshuar qeverisjen në Prizren


E premte, 10 Nëntor 2017

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit Mytaher Haskuka nënshkroi sot marrëveshje me ish-kundërkandidatin e tij nga Nisma në këtë komunë Zafir Berisha.

 “Falënderoj Zafirin dhe Nismen që po na bashkëngjiten për ndryshimin e madh”, tha Haskuka pas arritjes së marrëveshjes.

Ndërsa Zafir Berisha tha se u bashkua me Haskukën për ta ndryshuar qeverisjen në Prizren.

“Nga ky moment jemi një shtab zgjedhor, jemi një ekip dhe kemi një kandidat e ai është Mytaher Haskuka. Pas datës 19 do te rrugëtojmë bashkë në qeverisjen e mirë për Prizrenin. Duhet ta ndryshojmë qeverisjen në Prizren”, tha Zafir Berisha.

Ai më tutje deklaroi se bashkëpunimi mes Nismës e Vetëvendosjes nuk fillon sot.

“Bashkëpunimi mes VV dhe Nismës nuk fillon sot. Kemi pas bashkëpunim edhe më herët në Kuvend”, tha Berisha.

Zafir Berisha ishte dënuar më parë për lidhje të paautorizuar të rrymës, ndërsa KQZ-ja për shkak të këtij dënimi e kishte larguar nga gara për kryetar.

Por më pas Gjykata Supreme e kishte rikthyer në garë Berishën dhe kandidatët tjerë të dënuar për asamble e kryetarë me arsyetimin se KQZ-ja nuk mund ta largojë askënd nga gara.

Mytaher Haskuka në zgjedhjet e 22 tetorit fitoi 14,967 vota, ose 22.41 për qind të tyre, ndërsa është në balotazh me kandidatin e PDK-së Shaqir Totaj.

Totaj në raundin e parë të zgjedhjeve lokale fitoi 19,869 vota, ose 29,75 për qind të atyre që dolën në zgjedhje në Prizren.

Në këtë garë Zafir Berisha u rendit i pesti me 5,404 vota, ose 8,09 për qind të votave.

Etiketa: , , , ,
Të fundit