Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Zbogar: Zgjidhjen politike mos e bartni në rrugë

Prizren Post | 20:10 - 09.10.2014

Ngërçi politik është situatë shqetësuese që po çon drejt kolapsit shumë institucione të tjera. Kështu e vlerëson vonesën në konstituimin e Parlamentit, shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zbogar, i cili shpreson se zgjidhja të mos bartet me metoda jashtë institucionale dhe që do të eskalonte në rrugë.

Në një intervistë për Zonën e Debatit në Klan Kosova, Zbogar u bëri thirrjeve politikanëve të gjejnë zgjidhje për të krijuar institucionet.

Ai ripërsëriti se BE nuk do të ndërhyjë në zgjidhjen e këtij ngërçi sepse kosovarët duhet ta dinë më mirë se çka është e duhur për vendin e tyre.

Secila vonesë, sipas tij, shkakton shqetësim tek BE-ja dhe blloku 28 anëtarësh. Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë shpreson se zgjidhja të mos bartet me metoda jashtë institucionale dhe që do të eskalonte në rrugë.

Më tutje gjatë kësaj interviste Zbogar konsideroi se zgjedhjet e reja duhet të jenë opsioni i fundit për daljen nga kjo situatë, sepse kjo do të shkaktonte vonesa të tjera që janë të dëmshme për Kosovën.

Zgjedhje në dimër sipas tij, frikësojnë BE-në se nuk do të jenë aq të mira siç kanë qenë ato të 8 qershorit. Ndër të tjera ai tha se sytë e BE-së janë tek presidentja e cila është duke zhvilluar takime me liderët e partive politike për të gjetur zgjidhje.

Shefi i BE-së në Kosovë nuk kundërshtoi takimet e deputetëve në sallën e Kuvendit, por tha se preferon që seancat të thirren nga kryesuesja Flora Brovina si vazhdimësi e seancës së kaluar konstituive.

Në këtë intervistë, që transmetohet sonte në Klan Kosova, Zbogar flet në detaje për të gjeturat e Komisionit Evropian në raportin e progresit për këtë vit. /Klan Kosova/


Etiketa:
Arivisti Company