Zbulohet lista e vitit 1947 për dëshmorët dhe kriminelët e luftës


E diel, 29 Maj 2016

Lufta

Vlorë – Arkivi Shtetëror Vendor i Vlorës bëri të ditur se gjetur listat e para zyrtare të vitit 1947 me të dhëna të hollësishme për Dëshmorët e Luftës, si dhe listat për ata që cilësoheshin si “kriminelë të luftës” çlirimtare. “Gjatë kryerjes së përpunimit të fondeve arkivore në ruajtje në ASHV Vlorë u gjetën për herë të parë disa dokumente shumë të vyera.

Bëhet fjalë listën e parë zyrtare të Dëshmorëve të Luftës, e cila përmban gjeneralitetet, vendlindjen, veprimtarinë patriotike, vendin e internimit, burgosjes apo të rënies, shkakun e vdekjes e të dhëna të tjera më specifike për të rënët”, thuhet në një njoftim zyrtar. Së bashku me listat e Dëshmorëve të Lumit të Vlorës, që u gjetën mbi një vit më parë, kompletohet tashmë, për herë të parë, lista zyrtare e Dëshmorëve të Luftës e gjithë Rrethit të Vlorës.

“Natyrisht, duke ditur rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij dokumentimi zyrtar, ASHV Vlorë, në zbatim të normativës në fuqi e në bashkëpunim me Muzeun Historik e Shoqatën e Veteranëve të Vlorës, do të kryejë së shpejti një ceremoni të dorëzimit e publikimit të këtyre listave”, bëri të ditur Arkivi. Ndërkohë, për sa u takon listave të “kriminelëve të Luftës”, për shkak të ndjeshmërive e llojit të informacionit që mbartin, bëhet e ditur se ato nuk do të bëhen publike, por aksesi i studiuesve në to do të kryhet sipas normativës në fuqi.