E enjte, 30 Korrik 2026

Një zbulim i ri shkencor mund të ndryshojë mënyrën se si kuptojmë origjinën e jetës. Astronomët kanë zbuluar për herë të parë një sheqer natyral të ngjashëm me atë që gjendet te mjedrat, në një re pluhuri dhe gazi ndëryjor pranë qendrës së galaktikës sonë, Rrugës së Qumështit.
Bëhet fjalë për eritrolozën (erythrulose), një molekulë e përbërë nga katër atome karboni, e cila luan rol në proceset biologjike të Tokës. Zbulimi është bërë nga një ekip studiuesish të udhëhequr nga Qendra për Astrobiologji në Spanjë dhe është publikuar në revistën shkencore “Nature Astronomy”.
Për të identifikuar këtë molekulë, astronomët përdorën dy radio-teleskopë në Spanjë dhe analizuan sinjalet e ardhura nga reja molekulare G+0.693−0.027, e vendosur pranë qendrës së Rrugës së Qumështit. Ata krahasuan gjurmët molekulare të zbuluara në hapësirë me modelet e eritrolozës të krijuara në laborator.
Shkencëtarët thonë se zbulimi është i rëndësishëm sepse tregon se molekula relativisht komplekse, të lidhura me jetën, mund të formohen në hapësirë përpara krijimit të yjeve dhe planetëve.
“Ky zbulim tregon se sheqerna komplekse mund të sintetizohen në hapësirën ndëryjore, para se të lindin yjet dhe planetët”, u shpreh astronomja Izaskun Jiménez-Serra, autore kryesore e studimit.
Deri tani, studiuesit kanë identifikuar më shumë se 340 molekula në hapësirën ndëryjore të Rrugës së Qumështit, por asnjë sheqer nuk ishte zbuluar më parë në këtë mjedis.
Sipas ekspertëve, ky zbulim mbështet teorinë se disa përbërës organikë të nevojshëm për jetën mund të kenë ardhur në Tokë nga hapësira përmes asteroidëve dhe kometave. Sheqerna të tjera, si riboza dhe glukoza, janë zbuluar më herët në meteorë dhe në mostra të asteroidit Bennu.
Shkencëtarët besojnë se eritroloza mund të jetë vetëm një nga shumë molekula të rëndësishme që mund të zbulohen në të ardhmen, duke hapur mundësi të reja për të kuptuar se si mund të ketë nisur jeta në univers.
Burimi: mesazhi
