Zv. Kancelari i Austrisë mbështet LDK-në


E enjte, 5 Qershor 2014

Vienë – Zëvendëskancelari dhe Ministri i Financave i Austrisë, Dr. Michael Spindelegger, njëherësh kryetar i Partisë Popullore të Austrisë, nëpërmes një letre dërguar kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, ka mbështetur LDK-në në zgjedhjet e së dielës, duke thënë se vetëm LDK e ka historinë e suksesshme, programin dhe kapacitetin e nevojshëm për ta zhvilluar ekonomikisht Kosovën dhe për ta afruar atë me familjen evropiane.

“I nderuari Dr. Isa Mustafa, i nderuari Kryetar i Partisë. Duke pasur parasysh marrëdhëniet afatgjate të shkëlqyera mes dy partive tona, më lejoni që personalisht t’ju uroj juve dhe ekipit tuaj gjithë të mirat për zgjedhjet e ardhshme. Këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen dhe zhvillimin e vendit tuaj në Evropë dhe unë besoj fuqishëm, që LDK-ja, ju dhe ekipi juaj kanë një program të shkëlqyer dhe idetë më të mira për reformat e nevojshme në Kosovë”, ka thënë Spindelegger, në letrën dërguar Mustafës.

“Austria dhe unë e mbështetëm vendin tuaj nga hapat e parë, për forcimin e demokracisë, shoqërisë civile dhe procesin e ndërtimit të shtetit. Megjithatë, ky proces nuk ka përfunduar ende dhe Kosova ka nevojë për më shumë ndryshime dinamike”, ka thënë Zëvendëskancelari austriak.

Ai ka shtuar se “LDK-ja ka një traditë të gjatë dhe të suksesshme dhe një histori të besueshme, si themele të forta për reformat e nevojshme dhe progresin ekonomik. Për këtë qëllim unë ju uroj juve (LDK) si një parti simotër e Partive Popullore Evropiane, një mandat të fortë dhe të qartë nga elektorati, gjithë të mirat dhe suksese në ditën e zgjedhjeve”, ka thënë Spindelegger.

Një ditë më parë kryetari i LDK-së, ka marrë mbështetje edhe kryetarja e Unionit Kristiandemokrat Gjerman (CDU), njëherësh kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, për sukses në zgjedhjet e së dielës./rtk/

Etiketa: , , ,