Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Zgjedhjet në Britani, miliona njerëz u janë drejtuar qendrave të votimit

Prizren Post | 12:17 - 07.05.2015

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Londër – Miliona njerëz votojnë sot në zgjedhjet e përgjithshme të Mbretërisë së Bashkuar. Kutitë e votimit në rreth 50,000 qendra janë hapur në orën 7:00, sipas orës lokale dhe do të mbyllen në orën 22:00.

Janë rreth 50 milion qytetarë në të gjithë Britaninë të cilët pritet të votojnë. Ndërkohë, liderët Britanikë kanë patur të mërkurën ditën e fundit të fushatëssë tyre

Kryeministri David Cameron, i cili ka udhëhequr koalicionin me Liberal-Demokratët që prej vitit 2010, ka thënë se vendi është më i fuqishëm se pesë vjet më parë dhe ka shprehur bindjen se Konservatorët do t’i fitojnë zgjedhjet e së sotme. “E ardhmja e Britanisë është në majë të thikës. Do të ishte tragjedi nëse hedhim poshtë gjithë punën e vështirë që kemi bërë gjatë pesë viteve të qeverisjes tonë”, ka thënë Cameron në mesazhin e tij në Facebook.

Partia Laburiste është rivalia kryesore e Konservatorëve të Cameron. Udhëheqësi i saj, Ed Miliband, ka thënë se është optimist për rezultatet e Laburistëve dhe se beson që njerëzit do të bëjë gjykimin e duhur. “Të gjithë e dimë se kjo garë do të jetë shumë e ngushtë. Ndaj, tregojuni miqve tuaj, familjes tuaj, të afërmve se sa e rëndësishme është që secili person në vendin tonë të bëjë ndryshimin”, u është drejtuar Miliband të gjithë shtetasve Britanikë.

Nick Clegg, ndërkaq, ka premtuar se Liberal-Demokratët e tij do të ofrojnë stabilitet dhe dinjitet.

Ndërkohë, sipas sondazheve të bëra asnjë forcë politike nuk pritet të fitojë me një shumicë absolute votash. Sondazhet e kompanisë ComRes kanë parashikuar për Konservatorët e qendrës së djathtë 35 % të votave, ndëra për Laburistët e qendrës së majtë 32 %.

Shumica e vendvotimeve janë në shkolla dhe në qendrat komunitare. Rezultatet paraprake pritet të shpallen në mesnatë, ndërsa rezultatet përfundimtare të premten pasdite.


Etiketa:

Bëni një koment