Zgjedhjet vendore në Turqi, jehonë e madhe në mediat botërore


E hënë, 31 Mars 2014

Rezultatet e zgjedhjeve vendore në Turqi krijuan jehonë të madhe edhe në mediat botërore, të cilat theksuan se atmosfera e këtyre zgjedhjeve lokale ishte pothuajse e njëjtë me atë të një referendumi, ndërsa komentuan se Partia Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet dhe Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan e kaluan me sukses të madh këtë sprovë të vështirë.

Shtypi perëndimor, arab dhe ai izraelit e analizuan rezultatin e jashtëzakonshëm të këtyre zgjedhjeve si “referendumi i triumfit të Erdoanit”.

Gazeta amerikane “The Wall Street Journal” shkroi se zgjedhjet e 30 marsit në Turqi “e fuqizuar edhe më shumë Erdoanin”, ndërsa rrjeti mediatik “Bloomberg” i vlerësoi rezultatet me këto fjalë: “Partia në pushtet doli me fitore nga zgjedhjet bashkiake, që shikoheshin si një testim i mbështetjes ndaj Kryeministrit Rexhep Tajip Erdoan.”

E përditshmja britanike “The Telegraph” nënvizoi se “Partia AK, e drejtuar nga kryeministri i Turqisë, i la zgjedhjet lokale pas shpine duke fituar me një diferencë të rëndësishme”.

“The Guardian”, një tjetër ditore tepër prestigjioze kjo me seli në Londër, komenton se “pas këtyre rezultateve të fuqishme, Erdoani mund të vendosë kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të muajit gusht”.

Ndërsa “Financial Times”, edhe kjo një gazetë angleze por e fokusuar kryesisht mbi ekonominë dhe financat, citon Kryeministrin Erdoan të jetë shprehur i gatshëm për t’iu përkushtuar çdo detyre, që do t’i jepet nga kryesia e forcës politike në pushtet.

Kanali televiziv “France 24” komenton se kryeministri turk ka triumfuar në zgjedhjet vendore, ku ditën e diel testoi votëbesimin e popullit.

Agjencia britanike e lajmeve “Reuters” tërheq vëmendjen se në këto zgjedhje të ashpra bashkiake shefi i Ankarasë zyrtare ka konfirmuar ligjshmërinë e tij dhe partisë që drejton.

Kurse agjencia franceze “AFP” i vlerësoi rezultatet e zgjedhjeve me këto fjalë: “Partia e Kryeministrit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, bëri një fillim të mbarë. E ardhmja për Erdoanin duket se do të jetë mjaft e shndritshme.”

Sakaq, agjencia amerikane e lajmeve “AP”, pasi vuri në pah se këto zgjedhje nuk ishin thjesht vendore, pasi rëndësia e tyre ishte shumë më e madhe; i kushtoi vend këtij komenti: “Emri i Kryeministrit Erdoan nuk ishte në fletat e votimit, megjithatë ai luajti rolin kryesor.”/trt/

Të fundit