E mërkurë, 5 Shtator 2018
Prishtinë – Pavarësisht paralajmërimeve, “korrigjimi i kufijve” dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të diskutohen në takimin e së premtes ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Zyra e presidentit Thaçi ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se në takimin e pasnesërm do të diskutohet rreth modaliteteve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javë më parë kishte paralajmëruar se gjatë shtatorit do ta prezantojë në Bruksel idenë e korrigjimit të kufijve, i cili nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Megjithatë, në takimin e së premtes të Thaçit me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq nuk do të diskutohet për “korrigjimin e kufijve” dhe as për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Të paktën kështu ka thënë zyra e presidentit Thaçit për gazetën “Zëri”: “Korrigjimi i kufijve dhe Asociacioni nuk do të jenë në tavolinën e bisedimeve”.
Më tej Presidenca thotë se në takimin e 7 shtatorit do të diskutohet për modalitetet e arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Etiketa: Aktuale, Aleksandar Vučić, Hashim Thaçi, Kosova, Presidenti, Serbia