E premte, 9 Tetor 2026

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur seancën e dhjetë për vitin 2026, gjatë së cilës ka miratuar licencat për termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, si dhe 53 aplikime për autorizim për vetëkonsum të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit të ZRRE-së, Bordi miratoi aplikimin për licencimin e TC “Kosova A” për aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike, si dhe të KEK sh.a. – TC “Kosova B” për aktivitetin e bashkëprodhimit të energjisë elektrike dhe termike.
Licencat do të jenë të vlefshme nga 9 tetori 2026 deri më 17 gusht 2028.
Në të njëjtën seancë, Bordi i ZRRE-së miratoi edhe 53 aplikime për autorizim për vetëkonsum, prej të cilave 46 janë nga persona fizikë dhe shtatë nga persona juridikë.
Sipas ZRRE-së, kapaciteti i përgjithshëm i instaluar i këtyre aplikimeve është 816 kilovat (kW).
Në hapje të seancës, kryesuesi i ri i Bordit, Driton Gojani, falënderoi anëtarët e mëparshëm dhe ata aktualë të Bordit, stafin e ZRRE-së dhe përfaqësuesit e mediave për bashkëpunimin e deritanishëm.
Ai shprehu përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit në përmbushjen e mandatit dhe objektivave të ZRRE-së, me synim zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë në Kosovë.
Gjatë seancës së dhjetë për këtë vit, Bordi shqyrtoi edhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
