Zvarritja e marrëveshjes nuk e ndal dialogun Kosovë – Serbi


E premte, 24 Korrik 2015

Autoritetet në Prishtinë kanë akuzuar Beogradin për mosgatishmërinë e treguar rreth zbatimit të marrëveshjes për polisat e sigurimeve, të arritur në dialogun e Brukselit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se marrëveshja ka qenë e planifikuar të nis së zbatuari nga 24 korriku.

Por, sipas tij, Brukseli e kishte njoftuar paraprakisht Qeverinë e Kosovës se Beogradi nuk ishte ende i gatshëm teknikisht që të fillojë me zbatimin e kësaj marrëveshje.

“Kemi mos përmbushje të marrëveshjes nga ana e Serbisë. Do të thotë, Serbia nuk iu është përmbajtur afateve sipas të cilave nga sot do të fillonte përmbushja e marrëveshjes. Pra, nuk kemi të bëjmë me anulim apo suspendim të marrëveshjes, por bëhet fjalë për jo gatishmërinë e Serbisë ngase ajo duhet të punojë tutje që t’i përmbushë edhe disa obligime që i ka marrë me marrëveshje”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri i Kosovës ka deklaruar në vijim se marrëveshja nuk do të diskutohet më në Bruksel, pasi që ajo tashmë është e finalizuar.

Ai tha se pala nga Prishtina në bisedimet e Brukselit i ka kërkuar Bashkimit Evropian që të bëj trysninë e nevojshme mbi Serbinë që marrëveshja të filloj së zbatuari.

Sidoqoftë, kryeministri Mustafa ka thënë se dialogu me Serbinë do të vazhdojë, me kërkesën e vazhdueshme të Prishtinës që marrëveshjet të mos zvarriten tutje, por të zbatohen.

“Dialogu do të vazhdojë, mirëpo çdo vazhdim i dialogut ndërlidhet me kërkesën tonë në Bruksel që të bëhet implementimi i marrëveshjeve ekzistuese. Këtë e kemi diskutuar edhe me përfaqësuesit e BE-së dhe ata të SHBA-së të cilët fuqishëm na mbështesin në këtë pjesë se zbatimi është i domosdoshëm”, ka deklaruar Mustafa.

Pala nga Kosova është ankuar në vazhdimësi për mos zbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, apo edhe zbatimin e marrëveshjeve jo sipas parimeve të dakorduara në dialogun e Brukselit.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se duhet të bëhen disa përmirësime nga pala serbe edhe në lidhje me marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Qytetarët e Kosovës në rast se lëvizin në drejtim të Serbisë, detyrohen që tabelat e tyre të automjeteve me shenjat dhe simbolet e Kosovës t’i zëvendësojnë me tabela provuese që ua lëshojnë organet serbe në vendkalimet kufitare.

Një praktikë e tillë, sipas ministres Tahiri, duhet të ndërpritet.

“Siç e dini ne asnjëherë nuk kemi aplikuar tabelat “prova” për qytetarët e Serbisë dhe janë tre-katër vjet që Serbia vazhdon t’i përdorë këto tabela. Ne disa herë në takime te Brukselit kemi kërkuar që Serbia t’i heq ato tabela”.

“Nëse nuk i heq, atëherë në një kohë të caktuar edhe ne do të marrim vendim që t’i vendosim tabelat “prova” për qytetarët e Serbisë. Mirëpo kjo nuk është temë që lidhet me marrëveshjen për polisat e sigurimeve, pasi që janë dy çështje të ndara”, ka thënë Tahiri në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, zhvillohet në nivelin politik dhe atë teknik. Qëllimi i këtij dialogu është thënë se është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Në bisedime janë përfshirë tema që ndërlidhen me bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe tema në lidhje me funksionimin e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, ku Beogradi ndër vite ka ngritur struktura paralele që funksiononin jashtë sistemit juridik dhe kushtetues të Kosovës.

Të fundit