Srijeda, 2 Septembra 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja politike e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit mbetet valide, pavarësisht zhvillimeve të reja brenda LDK-së.
Ai tha se do të ketë takime të reja me LDK-në në lidhje me atë se si do të zgjidhet situata e re për të cilën kishte folur një natë më parë, pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të shtetit.
“Flasim në Prishtinë për këto çështjet tjera. Këtu jemi për eficiencë të energjisë. Por, natyrisht, siç kam thënë mbrëmë, do të zhvillojmë edhe takime dhe mbledhje. Për neve marrëveshja politike është valide”, tha Kurti.
Ai nuk përjashtoi që një takim i tij me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të mbahet dikur më vonë, por konfirmoi se diçka e tillë nuk ndodhi në mëngjes.
“Jo se në mengjes u nisa për Viti”, tha ai.
Kurti i bëri këto deklarata pas ceremonisë së përurimit të implementimit të masave të efiçiencës së energjisë në shkollën “28 Nëntori” në Viti.
Izvor: prizrenpost



