Paradoksi i peshqve: jetojnë gjithë kohës në det, po përse nuk janë të kripur?


Ponedjeljak, 24 Augusta 2026

Në kuzhinë ka shumë mënyra për t’i shtuar kripë peshkut: nga skuqja duke i shtuar disa kokrra kripë te kriposja tradicionale, marinimi apo përgatitjet e tjera. Por një pyetje interesante është: pse peshqit e detit, të cilët kalojnë gjithë jetën në ujë të kripur, nuk kanë shije të kripur.

Përgjigjja lidhet me një mekanizëm biologjik të quajtur osmorregullim, përmes të cilit organizmi kontrollon sasinë e ujit dhe kripërave në lëngjet e tij. Shumica dërrmuese e peshqve që njohim, përfshirë krapin e detit, sardelet, merlucët dhe tonët, bëjnë pjesë te teleostet.

Ata janë në gjendje ta mbajnë gjakun dhe lëngjet e trupit shumë më pak të kripura se uji i detit. Ky ekuilibër është jetik. Një përqendrim tepër i lartë i kripës në gjak do të dëmtonte funksionimin normal të qelizave dhe organeve.

Për peshqit, ashtu si për njerëzit, një tepricë e kripës në organizëm mund të shkaktojë probleme serioze, veçanërisht në sistemin nervor. Në fund të shekullit XIX, fiziologu belg Léon Fredericq ishte ndër shkencëtarët e parë që u përpoqën të kuptonin këtë fenomen.

Ai analizoi gjakun e peshqve detarë dhe vuri re se ai ishte shumë më pak i kripur se uji i detit. Pyetja ishte e thjeshtë, por përgjigjja rezultoi jashtëzakonisht komplekse: si mund të jetonte një kafshë e zhytur vazhdimisht në ujë të kripur pa u mbushur me kripë?

Një pjesë e përgjigjes lidhet me gushat. Peshqit marrin oksigjen përmes gushave, të cilat lejojnë kalimin e ujit. Por uji i detit ka një përqendrim shumë më të lartë kripërash se lëngjet e trupit të peshkut. Përmes osmozës, uji tenton të largohet nga organizmi.

Pra, paradoksalisht, një peshk i detit mund të dehidratohet edhe pse është i rrethuar nga ujë. Për të kompensuar humbjen, peshku duhet të pijë ujë deti. Në vitin 1930, fiziologu Homer Smith arriti të tregojë eksperimentalisht se peshqit e detit e bëjnë pikërisht këtë.

Ai shtoi një ngjyrues në ujin ku notonin peshqit dhe më pas e gjeti atë në sistemin e tyre tretës, duke provuar se uji hynte përmes gojës. Por mbeti një pyetje tjetër: nëse peshku pi ujë deti, si e nxjerr kripën e tepërt?

Për vite me radhë, shkencëtarët dyshuan se përgjigjja lidhej me veshkat. Por analizat nuk treguan përqendrime të mjaftueshme të natriumit dhe klorurit, përbërësit kryesorë të kripës. Vëmendja u kthye te gushat.

Një hap i rëndësishëm u hodh në vitin 1957, kur shkencëtari danez Jens Christian Skou zbuloi pompën natrium-kalium, një proteinë që përdor energji për të kontrolluar lëvizjen e natriumit dhe kaliumit përmes membranave qelizore.

Më vonë u zbulua se kjo pompë është veçanërisht e pranishme në gushat e peshqve. Studimet pasuese çuan në një model shumë më kompleks të mënyrës se si gushat largojnë kripërat e tepërta.

Ky mekanizëm, i njohur si modeli i Silva-s, shpjegon pjesën kryesore të procesit të osmorregullimit te shumë peshq detarë. Megjithatë, jo çdo detaj është zgjidhur dhe dallimet mes specieve vazhdojnë t’u japin shkencëtarëve pyetje të reja.

Një shqetësim i ri është ndryshimi i oqeaneve. Ngrohja globale po e rrit temperaturën e ujërave, ndërsa ndryshimet në kripësi dhe acidifikimi i deteve mund të ndikojnë në mënyrën se si peshqit rregullojnë ekuilibrin e tyre të brendshëm.

Studimet mbi merlucin e Atlantikut, kanë treguar se në kushte të tilla osmorregullimi mund të kërkojë më shumë energji. Kjo do të thotë se një pjesë më e madhe e energjisë së peshkut duhet të shpenzohet për të ruajtur ekuilibrin e kripërave, duke i lënë më pak burime për rritjen, riprodhimin dhe funksione të tjera jetësore.

Pra, arsyeja pse peshku i detit nuk është i kripur nuk është se ai nuk përballet me kripën. Përkundrazi, gjithë jetën e tij ai lufton për të mos lejuar që kripa e detit të prishë ekuilibrin e brendshëm.

Dhe pikërisht ky mekanizëm i jashtëzakonshëm e lejon të jetojë në një mjedis ku, pa osmorregullimin, trupi i tij do të humbiste vazhdimisht ujë dhe do të mbushej me kripë. tesheshi.com


Izvor: prizrenpost

Najnoviji