Komandanti i Njësisë Speciale të KFOR-it: Përgjegjësia e misionit në Mitrovicë mbetet e njëjtë


Thursday, August 27th 2026

Komandanti i Njësisë Speciale Shumëkombëshe (MSU) të KFOR-it, koloneli Gianfranco Di Fiore, ka vizituar pjesëtarët e kësaj njësie që veprojnë në Mitrovicë.

Sipas KFOR-it, gjatë vizitës Di Fiore ka vlerësuar nga afër profesionalizmin, gatishmërinë dhe përkushtimin e pjesëtarëve të MSU-së në përmbushjen e misionit të KFOR-it.

MSU-ja ka rol të rëndësishëm në ruajtjen e pranisë, lëvizshmërisë dhe gatishmërisë së KFOR-it për të reaguar ndaj zhvillimeve të sigurisë në terren.

Pjesëtarët e saj kontribuojnë gjithashtu në rritjen e vetëdijes për situatën dhe në sigurimin e një pranie të dukshme të misionit.

“Si komandant i MSU-së, jam jashtëzakonisht krenar për profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin që shoh te pjesëtarët tanë çdo ditë. Ata e kuptojnë përgjegjësinë që u është besuar dhe jam i bindur për gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të mbështetur misionin e KFOR-it”, ka deklaruar Di Fiore.

Gjatë vizitës, ai është takuar edhe me pjesëtarët e Ekipit për Ndërlidhje dhe Monitorim (LMT) K2 të KFOR-it, duke vlerësuar angazhimin e tyre në ruajtjen e dialogut me përfaqësuesit e komuniteteve në terren.

KFOR-i ka theksuar se, pavarësisht optimizimit të strukturës së pranisë së tij, përgjegjësia e misionit mbetet e njëjtë.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftim.

Sipas KFOR-it, misioni vazhdon të koordinohet ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.


Source: prizrenpost

Latest