E hënë, 17 Nëntor 2014
Gjenovë – Ndeshja miqësore mes Italisë dhe Shqipërisë do të ndiqet nga rreth 10 mijë tifozë shqiptarë që jetojnë në Itali dhe shtete të tjera perëndimore.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve “ANSA”-s, ky është numri i biletave që janë blerë nga fansat shqiptarë, që do të mbërrijnë nga të gjitha anët e Italisë, kryesisht nga rajonet qendrore dhe veriore, por edhe nga vende të tjera të Evropës perëndimore, si Franca, Zvicra dhe Gjermania.
Më tej agjencia italiane çudit me raportimin e saj, kur shkruan se autoritetet vendase u frikësohen ndonjë ngjarje të pakëndshme, duke iu referuar dhunës në ndeshjen Serbi – Shqipëri, më 14 tetor në stadiumin e Beogradit.
Megjithëse incidentet në Beograd u shkaktuan nga serbët pasi shqiptarët ishin më pak se 50 vetë në stadium, “ANSA” ngre dyshime se edhe kjo ndeshje mund të përfshihet nga trazirat, ashtu siç ndodhi një natë më parë gjatë ndeshjes Kroaci – Itali.
Për të siguruar rendin dhe qetësinë jashtë dhe brenda impiantit të qytetit të Gjenovës do të jenë të angazhuar rreth 300 policë dhe karabinierë, ndër të cilët 210 do të vijnë si përforcime nga veriu i Italisë.
Sfida Itali – Shqipëri do të zhvillohet në stadiumin “Luiggi Ferraris në orën 20:45, ndërsa të ardhurat që do të sigurohen nga shitja e biletave do të shkojnë për fondin e emergjencave civile./shekulli/
Etiketa: Italia, Shqipëria