14 vjet më parë u çlirua Kosova


E mërkurë, 12 Qershor 2013

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.

Bota vazhdon të ketë në mendje imazhet e shumë qytetarëve kosovarë që u uronin mirëseardhje ushtarëve të KFOR-it. Që atëherë, kjo datë kujtohet si Dita e Lirisë së Kosovës nga agresioni serb.

Fillimisht numëronin 50,000 ushtarë dhe vinin nga dhjetëra shtete anëtare të NATO-s dhe vendeve aleate.

Të parat që kanë zbarkuar kanë qenë njësitet britanike. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

Hyrjes së tij i ka paraprirë Marrëveshja e Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Ajo është arritur vetëm pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

Si pasojë e saj, mbi 10,000 njerëz janë vrarë, rreth 5,000 të tjerë janë zhdukur dhe mbi 1 milion janë zhvendosur.

Të fundit